25 fitore në 50 ndeshje në krye të Milanit. Aktualisht mesatarja e fitoreve të Xhenaro Gatuzos te kuqezinjtë është më e mirë se ajo e Ançelotit, por e dhëna i përket momentit. Në intervistën për televizionin e klubit ka folur për karrierën e tij si teknik i “Djallit” dhe shumë aspekte të tjera të skuadrës që drejton.

50 ndeshje si trajner i Milanit, si ndiheni?

Më duket sikur kam 10-15 vjet që drejtoj ekipin, por ja që kam vetëm 1.5 vite. Për fat, stërvis një grup djemsh ku askush nuk më dërgon në të s’ëmës. U dukem i besueshëm dhe i falënderoj. Që nga Montolivo që nuk ka luajtur fare, e deri te Bertolaçi që ka luajtur shumë pak. Kemi një ecuri të mirë, por deri tani nuk kemi arritur asgjë.

Ndaj Sasuolos bëtë detyrën dhe parakaluat Interin…

Po luajtëm përsëri kështu, nuk besoj se do të fitojmë shumë ndeshje. Bëmë mirë vetëm në aspektin mbrojtës, teksa në tri daljet e fundit kemi gabuar shumë. Nuk dua që vëmendja për të mos pësuar të ndikojë në efikasitetin tonë në sulm. Edhe ndaj Sasuolos patëm fat. Nevojitet që parakalimin ndaj Interit ta përjetojmë më mirë. Është fakt që jemi të tretët, por duhet të tregohemi të zotët për të ruajtur atë vend.

Kohët e fundit po ju krahasojnë me mite si Roko e Ançeloti.

Krahasimi me Nereo Rokon më nderon, por unë mesfushor me tipare mbrojtëse kam vetëm Kesin. Mendoj se të dyja fazat mund të interpretohen mirë nëse skuadra ka organizim. Do ta mendoj edhe mundësinë e ndryshimit të ndonjë lojtari, por nuk mendoj se kemi probleme fizike. Përkundrazi, kemi pasur fat, sepse punojmë në një strukturë ku nuk na mungon asgjë. Duhet vetëm pak qartësi në sulm.

A ekziston ndonjë çështje “Suso”?

Cilësia e tij na dhuron epërsi numerike. Edhe ndaj Sasuolos i krijoi shumë vështirësi Peluzos. Karakteristikat e tij nuk e lejojnë të ndihmojë sa Çalhanoglu apo Kastijeho, por ky nuk është një defekt. Mua m’u duk se luajti në mënyrë interesante dhe nuk mendova për asnjë moment ta zëvendësoja.

Përmirësim në rezultate, por krejt e kundërta po ndodh me manovrën?

Kam predikuar gjithnjë përulësinë. Kampionati ofron shumë duele dhe janë shumë pikë në valle. Kemi bërë mirë në nivel pikësh, por edhe unë shoh vështirësi në lojë. Paketa ndonjëherë zgjerohet shumë dhe në të djathtë nuk jemi aq konkretë sa në të majtë. Bakajoko është pak i lodhur. Nuk janë probleme, por këto rrethana na shtyjnë të mos bëjmë më të mirën. Skuadrës ia kam bërë të qartë planet, ndaj në asnjë mënyrë nuk do të kënaqemi me “shfaqjet” që po ofrojnë, pavarësisht pikëve.

Përse dilni aq shpesh nga hapësira teknike e pankinës?

Ndonjëherë e teproj, por arbitrat më njohin dhe nuk ma marrin për ters. Nuk jam prej hekuri dhe e ndiej tensionin e përgjegjësinë e rolit tim. Jam tifoz i Milanit që fëmijë dhe e ndiej trysninë më shumë se kushdo. Duhet të jemi krenarë që kemi rikthyer entuziazmin në “San Siro”. Deri pak sezone më parë, Milani mezi afronte 17 mijë tifozë./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: