KORÇË

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Korçë ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të PS. Rama tha se Korça ka qenë një prej pionierëve të transformimit urban dhe se vizioni i maxhorancës së sotme është për ta bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan. Rama tha se “më mirë se ne për Korçën nuk gjejnë dot”.

Ai sulmoi dhe kandidatin e PD për deputet Ervin Salianji. “Programi ynë është vizioni ynë dhe kushdo që do ta konsultojë vizionin të shikojë Korçën. Programi ynë është karakteri ynë. Ne nuk iu ndahemi deri në fund gjërave që marrim përsipër. Programi ynë është puna. Ne punojmë pa pushim, ne besojmë tek puna dhe besojmë se përmes punës mund të transformojmë këtë vend. Nuk flemë gjumë, nuk hargalisemi ekraneve dhe pastaj të bëjmë si vizionarë kur vjen fushata dhe sa fiken kamerat flemë gjumë. Programi ynë është durimi dhe besimi dhe pastaj nëse duan të dinë se çfarë do të bëjmë te të gjithë sektorët kemi planin tonë të veprimit”, theksoi Rama.

“Është vërtetë një fushatë e çuditshme sepse mungon zhurma energjizuese, muzika përthithëse e mijëra njerëzve, por është një fushatë që na jep mundësinë të komunikojmë sikur jemi duke bërë një bisedë të shtruar dhe të kujdesemi që gjithçka që themi të jetë lehtësisht e dëgjueshme dhe e papërzier me zhurmën e entuziazmit dhe brohoritjeve që ndonjëherë ta bëjnë më të lehtë sepse nuk ka shumë vëmendje për fjalën, ndërkohë që kjo është një fushatë ku fjala ka më shumë vend dhe mundësia për të dëgjuar është më e madhe.
Përtej faktit që është kënaqësi të dëgjosh dhe fjalët e mira, dua të them që për hir të së vërtetës me këtë që ka ndodhur me transformimin urban, përtej marrjes së meritave dua ta them që Korça ka qenë një prej pionierëve të këtij transformimi… Rilindja urbane ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të disa njerëzve, një ndër të cilët dhe Nikoja që këtu në Korçë, në pozicionin e kryetarit të bashkisë dhe në kushte komplet të tjera, dhe i rrethuar nga muret e shurdhët të qeverisë në Tiranë nisi një projekt që në këndvështrimin tim është projekti i parë i asaj që mori emrin më vonë rilindja urbane dhe u kthye në program. projektin e kalldrëmeve. Më kujtohet kur atëherë vija në Korçë dhe flisnim me Nikon pasi bënim shëtitjen në rrugicat që po merrnin formën e vjetër, diskutonim si mund të nxirreshin qytetet nga një errësirë, nga një izolim, nga një trishtim, për hir të së vërtetës përveç thesareve që kanë shumë qytete të Shqipërisë ishte e pamundur të bëje fotografi që mund t’i dërgoje, me të cilat mund të krenoheshe. Ishin lënë në një situatë shumë kritike. Me rilindjen urbane hapëm një rrugë e cila vazhdon”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se falë rilindjes urbane këtu në Korçë janë hapur shumë sipërmarrje. “Vizioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan, kampione te agro-turizmit, kampione në eksportin e prodhimeve agro-bujqësore. Një proces që ka hyrë në rrugën e realizimit. Nëse sot flasim për disa investime të mëdha në turizëm, duke filluar nga investimi i madh në Durrës, ku do të investohet nga një kompanitë më të mëdha të botës për portin turistik. Nëse flasim për dy portet e reja kombëtare që do ndërtohen qoftë në Durrës, qoftë në Vlorë, për portin turistik të Shëngjinit, nëse flasim për 4 aeroportet, ku i Kukësit do të hapë dyert menjëherë, atë të Vlorës, do të nisë dhe ai i Sarandës”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se është e sigurt që shumë shpejt ne do të rikthehemi këtu bashkë me kompaninë për të demonstruar një projekt që do të jetë hapja e një kapitulli tjetër për turizmin në Shqipëri sepse gjithmonë e kemi lidhur turizmin me detin por kemi një botë të tërë për t’u eksploruar që është turizmi malor.
“Korça është zgjedhja e parë. Një resort i ri turistik në Korçë, si gur i parë në një tjetër themel të turizmit tonë do të sjellë shumë më tepër punë, reputacion për këtë qark dhe do të sjellë shtrirjen e infrastrukturës mikpritjes shumë përtej pikave ku është shtrirë sot”, tha ai.

Rama përsëriti se kjo maxhorancë nuk ka pasur dy mandate për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Ai tha se ndërkohë që shumë vend po përpëliten, Shqipëria po bën vaksinimin masiv.
“Ne kemi pasur një mandat dhe një luftë. Një luftë e cila vazhdon dhe tani që po flasim. Mandati i dytë nuk ka qenë një mandat qeverisës mirëfilli, por një mandat i thyer në mes nga dy goditje shumë të rëndë. Dy fatkeqësi të mëdha që mund të kishin plandosur në tokë një elefant. Tërmeti katastrofik dhe pastaj pandemia që tronditi gjithë botën. Dy goditje që na vunë ne si vend dhe ne si qeveri në një sprovë të madhe karakteri, një sprovë të madhe qëndrueshmërie, kurajoje dhe aftësie për t’ia dalë mbanë. Kur ra tërmeti shumë pak besuan që mund t’ia dilnim mbanë.
Ne po ia dalim sot me vaksinimin masiv aty ku të tjerë akoma po përpëliten dhe mezi po bëjnë disa doza simbolike dhe po presin të hyjnë në vaksinimin masiv.
Shqipëria një nga dy vendet që ka filluar vaksinimin masiv dhe me ritmet që po ecim jemi në fashën e lartë të vaksinimit. Nuk ka qenë e lehtë sepse është dashur jashtëzakonisht shumë përpjekje, shumë këmbëngulje. Jashtëzakonisht shumë kombinimin e partneriteteve, bisedave për t’ia dalë që të kemi sasinë e nevojshme të vaksinave”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: