Florjon Mima, ish-deputet i PD-së paralajmëron se humbja e të ardhurave dhe zëvendësimi nga paketat e ndihmës qeveritare mund të shkaktojnë një dorëzim pa kushte në kthetrat e varfërisë, urisë e mjerimit të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare.

“Por – thotë Mima për ‘Gazeta Shqiptare’ – pa u mëkëmbur të ardhurat individuale dhe ato biznesore, do të jetë pothuajse e pamundur për të filluar kontribuimi në arkën e përbashkët”. Ish-zëvendësministri i Financave akuzon qeverinë si të pandjeshme ndaj varfërisë, teksa liston kategoritë që duhet të përfitojnë nga ndihma financiare, të cilën nuk preferon t’a quajë “paga e luftës”… Z.Mima i bën thirrje kryeministrit Edi Rama se është më mirë që të anulojë PPP-të sesa të pllakosë skamja në vend.

Z.Mima, qëndrimi në shtëpi i shqiptarëve sa konsiston në humbjen e të ardhurave përgjatë kësaj periudhë të pandemisë Covid-19?

Sigurisht që ndikon, por nëse pjesa e parë e pandemisë kërkonte detyrimisht distancim fizik masiv dhe mbyllje po masive të aktiviteteve prodhuese, të tregtisë, të shërbimit etj., pjesa e dytë duhet të udhëhiqej nga numrat, numrat e mëdhenj të testimeve, të cilat do të na tregonin sesa është numri i të prekurve, se ku janë të përqendruar ata në hapësirën gjeografike e më tej nëpër industri të caktuara. Nëse kjo do të ishte bërë, ne sot do të ishim në gjendje të merrnim vendime të pjekura e të bazuara shkencërisht se cilat zona mund të hapeshin, cilat aktivitete mund të fillonin punë e kështu me radhë. Kjo nuk po ndodh, fatkeqësisht po ndodh një improvizim i madh për të vendosur kuturu se kush duhet të fillojë punë e kush jo. Prekja e Krujës, ku përhapja masive filloi nga një aktivitet, të cilin qeveria e deklaroi se nuk duhej mbyllur vetëm e vetëm për të mos marrë përsipër pagat e punonjësve tregon sesa amatorë, por edhe sa e pashpirt ishte kjo zgjidhje nga ana e qeverisë. Humbja e të ardhurave dhe zëvendësimi aspak dinjitoz i tyre nga paketat e ndihmës qeveritare mund të shkaktojnë dorëzim pa kushte në kthetrat e varfërisë, urisë e mjerimit të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare.
Si i konsideroni masat e marra nga qeveria, paketën financiare?

Paketat janë të dobëta, të mekura e anemike. Ato ndonëse me lojëra fjalësh, tentohet të rriten për të mos e lënë Shqipërinë nën nivelin turpërues krahasuar me vendet e rajonit, përbëjnë vetëm 0.8% të PBB-së, duke ngelur në një nivel aspak dinjitoz krahasuar edhe me vende me të varfra se ne dhe duke i bërë gjyqin publik një qeverie gjasme të majtë, e cila duhet të kishte si yll polar të sajin mbrojtjen sociale, solidaritetin me më të dobëtit e më të varfrit etj.. Në të kundërt shohim një merak të shtuar për të mos anuluar PPP-të e vetëm dhjetë oligarkëve, ashtu siç shohim një merak të shtuar për të mos nxjerrë para nga buxheti, për të ndihur biznesin dhe shtetasit me mungesë të ardhurash. Por, pa u mëkëmbur të ardhurat individuale dhe ato biznesore, do të jetë pothuajse e pamundur për të filluar kontribuimi në arkën e përbashkët.

A është e mjaftueshme “paga e luftës”?

Nuk më pëlqen ta përdor këtë term që e ka kaq për zemër kryeministri ynë, por siç e thashë më lart, paga prej 26 mijë lekësh në muaj për të vetëpunësuarit e të punësuarit e biznesit të vogël dhe paga prej 40 mijë lekësh në 3 muaj për të punësuarit e biznesit të madh është jo vetëm e pamjaftueshme, por ajo fyen dinjitetin e përfituesve, të cilët kanë 30 vite që kontribuojnë në arkën e përbashkët dhe sot që ata kanë nevojë të marrin nga arka e përbashkët, përfitojnë një ndihmë në nivele të dhimbshme dhe tallëse për mundin dhe djersën e tyre.
Çfarë po ndodh me “fondet e mbijetesës”?

Nga informacionet që kemi, ende nuk ka përfunduar shpërndarja e paketës së parë, ku bënin pjesë biznesi i vogël, familjet në ndihmë ekonomike dhe ata që përfitonin pagesën e papunësisë. Qeveria kujdeset më së shumti për të ndërlikuar procedurat burokratike sesa për të shpërndarë me shpejtësi në llogaritë individuale shumat e përcaktuara. Fillimisht aplikohet, pastaj nis verifikimi, pastaj ankimimi dhe në fund shpërndarja. Ndërkohë që një qeveri e përgjegjshme mund të shpërndante 100% paketën te përfituesit, të cilët i ka në databasat e saj dhe më mbrapa të hetonte për ndonjë parregullsi. Kështu vepron çdo qeveri e përgjegjshme. Paketa e dytë sapo është njoftuar se kanë filluar aplikimet, por ndjesia është që përsëri dominanca është kah rregulli proceduralo-burokratik sesa kah ndihma dhe mbështetja me shpejtësi e përfituesve, që rrinë në shtëpi për t’i shpëtuar virusit, por që me ndihmën e qeverisë mund të mos i shpëtojnë dot varfërisë e mjerimit.

Paketa e ndihmës sipas qeverisë deri tani është 650 milionë euro. Realisht sipas PD-së, sa është shifra reale dhe sa është zbatuar aktualisht?
I kam dëgjuar këto përllogaritje, por ajo që shifrat thonë, është se vetëm 113 milionë euro është ndihma financiare për të papunët, familjet në ndihmë ekonomike, të punësuarit e biznesit të vogël e atij të madh. Të përfshish këtu faljen e kamatave të energjisë së papaguar apo garancinë sovrane është si të ngopësh veten me lugë bosh. Shqiptarët kanë nevojë të ushqejnë veten dhe fëmijët në këto ditë të vështira dhe jo të merren me rregulla kontabile a interpretime teorike se një detyrim i falur, ose i shtyrë qenka indirekt një e ardhur shtesë.

Cilat janë grupet sociale që kanë më shumë nevojë për ndihmë?

Pa diskutim janë grupet më të varfra, me vulnerable, që luftojnë përditë me urinë e mjerimin. Janë familjet në ndihmë ekonomike, janë ata që janë hequr nga përfitimi i ndihmës përsëri me rregulla burokratike, sepse paskan një dush a televizor në shtëpi. Por, edhe ata që e përfitojnë ndihmën ekonomike, marrin vetëm 1300 lekë/frymë/muaj dhe me këto para duhet të paguajnë edhe energjinë, edhe taksat, edhe të ushqehen. Kjo është fyese për dinjitetin e këtyre njerëzve të rënë në fatkeqësi, por është edhe një akuzë e ashpër për këtë qeveri të pandjeshme ndaj varfërisë e mjerimit. Po kështu, edhe të punësuarit me paga minimale janë një grup shumë i madh, që duhet mbështetur fort, pasi shpenzimet e kësaj kohe kërkojnë që ata të përballojnë edhe fatura të shtuara për mbrojtje, dezinfektim, internet për fëmijët që ndjekin mësimet “online” etj. Pensionistët po ashtu janë të rrezikuar, pasi pensionet jo vetëm që nuk janë rritur, por në të kundërt kanë pësuar ulje për shkak të mosindeksimit të përvitshëm me indeksin e inflacionit.
A ka Partia Demokratike një strategji të saj për daljen nga situata…?

PD është në opozitë e pavarësisht kësaj, ajo ka punuar në të gjitha frontet për të bërë propozime realiste sesi mund të dilet nga kjo situatë. Ajo që ka marrë në këmbim është tallja e denigrimi kryeministror, por që, më shumë se tallje për opozitën, është një akuzë për vetë qeverinë më të paaftë e më të pashpirt në historinë e shqiptarëve. Kryeministri në vend që të merret me hallet e shqiptarëve, ka më shumë merak sesi të nxjerrë ushtrinë e armatosur në rrugë, sesi të dominojë hapësirën mediatike me fjalor lufte, sesi të kufizojë hapësirat për median e lirë e të pavarur, sesi të imponojë rregulla penale të panevojshme vetëm e vetëm për të frikësuar shqiptarët dhe për të krijuar idenë e rreme të shpëtimtarit të kombit. Besoj që nuk ka nevojë të zgjatem më rreth një figure që është bërë sot në sytë e shqiptarëve simbol i paaftësisë administruese dhe simbol i gllabërimit të gjithçkaje në këtë vend.

Çfarë duhet bërë konkretisht sipas jush? Çfarë do t’i sugjeronit kryeministrit për kapërcimin e krizës nga Covid-19?

Së pari, dil mbi veten dhe anulo PPP-të e panevojshme që ke miratuar. Pranoje që më mirë të anulohen ato, sesa të pllakosë skamja në vend. Ekonomia e vendit dhe jetët e shqiptarëve kanë më shumë rëndësi se disa kontrata abuzive pa asnjë vlerë për njerëzit dhe që kanë përpirë pjesën e luanit nga buxheti. Së dyti, dëgjo zërin e sipërmarrjes! Janë ata motorët që po fiken, por janë ata që e kanë mbushur në 30 vjet arkën e përbashkët dhe sot kur kanë nevojë, kanë të drejtën absolute të marrin nga arka e përbashkët. Nuk mundet thjesht t’u thuash “merrni kredi”. Kredia është një “peshkaqen” që po ua nguli dhëmbët, do t’ua shqyejë mishin me llokma. Së treti, jepu çekun për çdo punëtor që rri në shtëpi. Çekun për mbijetesë, jo për fitimet e kompanive. Sepse po u ngjall sipërmarrja, më shumë do të kontribuojë nesër në arkën e përbashkët. Së katërti, lëre fshatin të punojë e të prodhojë, se nga prodhimet e tyre do të ushqehet populli nesër. Edhe fermerëve jepu një çek në dorë që të përballojnë pandeminë si pjesëtarë dinjitozë të një familje të madhe.

Përse qeveria po klasifikon si “sekret” tenderat anti-Covid, të cilat PD-ja vazhdon t’i denoncojë duke e quajtur një formë të re abuzimi me paratë e shqiptarëve?

Është e qartë, ujku mjegull do. Të përfitosh nga këto kohëra të turbullta kur askush përveç opozitës nuk e ka vëmendjen e duhur për të mbikëqyrur me lupë aktivitetin e blerjes së mallrave e shërbimeve, është dyfish krim. Me ato para të shpërdoruara për blerje 2 apo 3 apo edhe 4 herë më të shtrenjta se çmimi i tregut, mund të rriteshin pagesat për përfituesit e paketave 1 apo 2, mund të përfshiheshin kategori të reja përfituesish apo mund të fillohej një pakete e tretë për biznesin apo për fermerët. PD-ja i ka denoncuar dhe do vazhdojë të denoncojë të tilla aktivitete që vetëm konfirmojnë ato që ne kemi thënë në rreth 8 vite të kësaj qeverisjeje.
Si mund të rimëkëmbet ekonomia shqiptare pas pandemisë Covid-19? Cili është projekti i opozitës për ringritjen e saj? Cilat janë zgjidhjet që ofron PD-ja?

Ne e kemi thënë vazhdimisht, duhet të jenë shkencëtarët dhe numrat e besueshëm, busulla për të gjetur rrugën në këto kohëra kaotike. Nëse kjo do të kishte ndodhur më parë, ne sot mund të ishim në krah të vendeve që kanë marrë vendime kurajoze për të lehtësuar hapjen apo edhe për t’u hapur tërësisht. Ajo që i druhem është se edhe nëse hapja vjen shpejt, mundet që konsumatori shqiptar të modifikojë tërësisht apo pjesërisht sjelljen e tij. Pas këtij shoku të pësuar dhe pas fjalëve për një rikthim të dytë të virusit në vjeshtë, mundet që planet për blerje mallrash e shërbimesh të shtyhen e ndoshta të anulohen fare. Kjo rënie e konsumit, por edhe e investimeve do të japë direkt impaktin e vet në PBB e vendit dhe po ashtu në PBB për frymë. Një qeveri serioze duhet të merrej pikërisht me adresimin e konsumit të reduktuar dhe të investimeve të munguara. Partia Demokratike beson fort se entuziazmi dhe optimizmi në ekonomi mund të rikthehen vetëm me masa të përgjegjshme për të ndihmuar konsumatorët dhe investitorët dhe me një qeverisje patriote, kokulur, punëtore e nikoqire për të administruar me transparencë paratë e shqiptarëve./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: