“Euro2024” është objektivi i vetëm i Shqipërisë, kërkojnë të përsërisin historinë për të marrë pjesë në një tjetër turne madhorë. Liga e Kombeve për përfaqësueset “big” shihet si një turne i tepër, por për vende të vogla si Shqipëria është jetik, është një bonus i rëndësishëm.

Me formatin e ri, shtohen edhe më shumë shanset që kuqezinjtë të prekin evropianin, në lojë futet fuqishëm edhe ky edicion i Ligës së Kombeve pasi ekipi i Edy Reja në letër mund të shkojë deri në fazën play-off, për këtë arsye të gjithë një zë kërkojnë kreun e Grupit B në Ligën 2. Nëse Shqipëria arrin të përmbush këtë objektiv, të fitojë Grupin ku bëjnë pjesë edhe Islanda e Izraeli, kuqezinjtë do të kenë një short të favorshëm në kualifikueset e Evropianit pasi do të kalonin automatikisht në vazon e dytë, çka do të thotë se do të kenë vetëm një rival më të fortë se vetja. Kujtojmë që në “Euro2024” kualifikohen direkt 20 ekipe, dy vendet e para të 10 grupeve, ndërsa katër të tjera dalin nga play-off e Ligës së Kombeve.

Misioni “Euro2024” nis nga Islanda të hënën, përfaqësuese që jemi përballur 7 herë, 4 fitore për ishullorët dhe 3 për kuqezinjtë. Edhe kompanitë e basteve shohin Islandën favorite teksa një fitore e tyre kuotohet me koeficientin 2,25 ndërsa një fitore e mundshme e Shqipërisë me koeficientin 2,90.

Bastet
Bastet

Islanda e nisi këtë edicion të Ligës së Kombeve me një barazim 2-2 në transfertë përballë Izraelit ndërsa Shqipëria ishte pushim pasi në kalendar duhet të përballej me Rusinë, e përjashtuar së fundmi nga të gjithë turnet ndërkombëtarë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb