Finalizohet operacioni policor i koduar “Bratoshi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat”.

Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, të cilët udhëtonin me një mjet pa targa dhe posedonin lëndë narkotike, me qëllim shitjen e saj në doza, në lokale dhe në afërsi të shkollave.

Sekuestrohet 1 pako me drogë, 2 aparate celulare dhe 1 automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara se nga Kastrati, Malësi e Madhe, për në drejtim të Shkodrës, ishte nisur një automjet pa targa që dyshohej se po transportonte lëndë narkotike cannabis sativa, kanë organizur dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bratoshi”.

Në kuadër të operacionit, në fshatin Bratosh, u bë lokalizimi i mjetit dhe ndërhyrja e shërbimeve të Policisë, për ta bllokuar.

Në momentin e ndërhyrjes, njëri nga pasagjerët, duke përfituar edhe nga errësira, ka mundur të largohet, ndërkohë që drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër janë vënë në pranga, konkretisht:

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. Z., 20 vjeç, A. R., 22 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe dhe u shpall në kërkim shtetasi L. R.

Në vijim të veprimeve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë te dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë 643.2 gramë, 2 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: