TIRANË

Këngëtarja dhe aktorja Justina Aliaj është konsideruar si një yll i këngës dhe skenës shqiptare. Këtë të shtunë, këngëtarja Aliaj ka qenë e ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News24”, ku ka folur për  mënyrën se si bëhej, dhe si po bëhet aktualisht arti në Shqipëri.

Teksa kujton “terrorin” në festivalin e 11-të në Radiotelevizionin Shqiptar, ajo flet edhe për aktualin për të cilin thotë se ka luhatjet e veta. Këngëtarja thotë se ndryshe nga festivalet e kaluar ku të gjithë këngëtarët do këndonin sipas doktrinës së partisë, sot ka liri të tjera, por sërish shton se arti ka kërcitjet e veta pavarësisht ndryshimeve radikale. Ajo kujton edhe këngëtarët që kanë bërë histori, ndësa thotë sa sa herë i dëgjon këngët e tyre i mbushen sytë me lot.

 Pjesë nga rrëfimi:

 Jemi në kohën e festivalit në RTSH, është edicioni i ‘58, një koment për realizimin e këtij festivali, këtë vit duket ndryshe.

Për këtë vit, nuk mundem të flas, sepse unë nuk jam në ato ambiente këto kohë. Sigurisht nuhas, ndjej çfarë do sjell. Është krejt ndryshe, duke pas këtë liri, këtë përzgjedhje, këtë hapësirë, mendoja do bëheshin kryevepra, por nganjëherë ndodh, nganjëherë jo, gjithçka është e kushtëzuar nga shpirti, nga buxheti modest, nga gjithçka. Megjithatë e shoh që ka ndryshim të madh.

A ka këngë cilësore, që konkurrojnë e paraqesin Shqipërinë në eurovizion?

Me thënë të drejtën e shpirtit nganjëherë po, nganjëherë jo. Mendoj që me marrë revan për me u paraqit, do të ishte një gabim i madh. Unë mendoj që arti duhet bërë me dashuri me butësi, jo me luftë të dal unë e jo ti, sepse unë e ndjej atë edhe kur performon, ka inat brenda.

Sa e kujtoni ju Festivalin e  11, mendimi i parë që ju vjen në mendje. ..

Me thënë të drejtën ka lënë gjurmë, sa të errëta aq të ndritshme për çfarë u prodhuar e për çfarë u performua. Por sidoqoftë është një lloj nostalgjie sepse më duket se ka qenë muzikë. Është bërë muzikë. Është bazuar në një pafundësi motivesh shqiptare. Sa herë i dëgjoj më mbushen sytë me lot, sepse kujtoj edhe kur i kanë kënduar. I madhi Gaqo Çako, Vaçe Zela, Tonin Tërshana.. të gjithë i kujtoj në atë festival.

I kthehemi pak kujtesës. Si u përzgjodhët në Festivalin e 11, si u prit nga skena?

U prit jashtëzakonisht mirë, ne ishim të qetë, dolëm kënduam, unë këndova në rasti konkret edhe gjithçka e bëja me pasionin më të madh. Një temë ishte shumë e bukur në ekranin e televizorit ‘të vështroj ty, ti nuk e di se sa shumë unë të ndjej kur të shoh ty, sa do të doja të isha aty me ty’, nuk mendoj se ishte një ..

Si bëhej përzgjedhja e këngëve, ju, kompozitori..

Sigurisht, kjo është një kontratë në heshtje, që e di që psh. Agron Xhunga (atë kohë) do më japë këngën, do ta dëgjoj, shpresoj të më pëlqejë. E kishim këtë mirëkuptim me njëri-tjetrin.

Dhe përpara se të interpretonit a kishte një hije dyshimi se mund të dilnit keq?

Në rastin e Festivalit të 11, JO! Përkundrazi mendonim se do të ishte një avancim i muzikës që do vinte. Kështu na u tha këndoni, shpalosni aftësitë tuaja si gjithmonë, bukur .. dhe ashtu bëmë.

Kush e tha këtë, kush ja u dha këto udhëzime?

Paria, ato që erdhën panë provën gjenerale. . .

Kur filluat ta ndjenit shijen e keqe të atmosferës, kush ishte shenja e parë?

Fill të nesërmen. Na erdh një fjalë që ‘dikush nga udhëheqja piu kafe pasi pa festivalin’, kështu na u tha ne. Ajo ishte pikëpyetje e madhe, sepse ka pi kafe në 11 të natës, kur ka mbaruar Festivali.

A mendove në ato çaste se ndiheshe e rrezikuar, për shkak të këngës që kishe interpretuar?

Po, ndjehesha. Gjithmonë, nëse do të ishe më e evidentuar, je edhe më e rrezikuar.

Po me kompozitorin çfarë biseduat?

Ishte periudha që ai shkonte e vinte në Durrës. Flisnim ‘çfarë bëhet si bëhet.. ndoshta s’do na prekin, analizonim këngën, ku cili motiv.

Kush ndjente frikë bashkë me ju pa u dhënë ende vendimi?

Të gjithë e ndjenin, Sherifi e ndjente, dy spikerat, që në fillim u përfol që kush janë ata që mund ta pësojnë.

Dhe vjen momenti që ju hiqeni nga puna, kush ja u komunikoi, çfarë bëtë?

Nëndrejtori i televizionit. I thash në çdo kohë mund të më transferoni, por jo në këtë kohë se nuk është e volitshme, do të më dëmtoni shumë. ‘Mos u mërzit’ tha ‘Partia është e madhe..
E kuptova që mbaroi.. rrëshqiti toka, madje për një vit e gjys kam prit shumë më keq, por deshti Zoti jo.

Jeni shprehur se ishte Sherif Merdani që ju ka shpëtuar në dy situata, apo jo, madje ju flisnit ashpër me të në kuadër të sistemit..

Po sigurisht të gjithë flisnim, vetëm se duhet të dinim se me kë me fol. Nuk ishte shaka me fol. Kur dikush hyn ti e ndjeje që e ke mbrapa dhe ti, nëse flet dikush. Ai nuk foli kurrë, kështu që unë shpëtova.

Çfarë bëtë më pas?

Më pas iu shtrova punës. Shumë vonë e mora vesh që jam në një situatë që s’kam përzgjedhje, por më duhet të bëj sipas orientimeve të Partisë, që nuk duhet të këndoj muzikë të lehtë. Nuk shkova në Dukagjin, se më shpëtoi z.Bilal Parruca, ndjesë pastë.

Si ju shpëtoi?

Më mori në mbrojtje totale. Ishte njeriu më i guximshëm në atë kohë që mund të më shpëtonte. kam rezerva i tha Tiranës për trajtimin tuaj. ‘Unë dua ta marr sepse është kuadri im, i kam dhënë bursën. Unë do të di se çfarë do të bëj me të nëse ajo edhe një herë do të bëj gabim. Jo në Dukagjin po edhe më larg, ju mos u bëni merak”- u tha, pastaj më thirri mua e më ka thënë: “Ja ku është dosja jote, kaloje, hap një faqe të re, me le të  hap një faqe të re. Ti nuk do këndosh më muzikë të lehtë”…

Dhe kjo ishte e dhimbshme..

Ishte e dhimbshme dhe kam reagu si fëmijë ‘shoku Bilal’ i thash nuk ka për të më pranu spektatori se unë nuk di me e këndu. Por ai më ka bërë nderin më të madh se unë i hyra muzikës popullore për të mos iu ndarë kurrë, aq e bukur është.

Pse mendoni se sistemi ju sulmoi ju ?

Unë mendoj që ishte politike, na kishte ardh radha.

Pati edhe diferencime, favorizime

Të gjithë e dinë për veten e vet, unë flas për vete..

Ama ju i dini dhe kolegët që ishin të diferencuar, kush trajtohej më mirë nga pushteti i asaj kohe?

Ndoshta ata që e kishin këngën më modeste shpëtuan pa u djeg. Kjo e imja ju duk moderne, ta djegim me të gjitha, pavarësisht se nuk kisha asnjë lloj mëkati.

Si silleshin udhëheqësit e asaj kohe me artistët?

Ne nuk kishim kontakt me ta. Në koncerte kur shkonin, i respektonin. Vaçen e kishin në krye të vendit, ashtu siç ishte këngëtare e madhe, edhe të tjerët po ashtu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb