Jurgen Klopp thotë se humbja e Liverpool-it ndaj Napolit javën e kaluar ishte performanca më e keqe e “mbretërimit” të tij gati 7-vjeçar në “Anfield”. Trajneri i “Reds” reflektoi për disfatën 4-1 të skuadrës së tij në Itali në ndeshjen e tyre hapëse në grupin e Champions League.

Kjo ishte humbja e tyre më e keqe evropiane që nga viti 1966, ndaj tha se mund të gjente pak gjëra pozitive për të marrë prej saj. Duke folur para ndeshjes me Ajax-in, të martën, Klopp iu tha gazetarëve:

“Ne patëm një takim me lojtarët. E pashë lojën shumë herë dhe ishte një shfaqje e vërtetë horror, për të qenë i sinqertë. Djemtë e dinin, por më pas duke e parë ndeshjen përsëri iu bë vërtet e qartë. Ishte ndeshja më e keqe që kemi luajtur që kur jam këtu.

Të gjithë e mbajnë mend Aston Villa (kur Liverpool humbi 7-2 më 2020) dhe disa ndeshje të tjera ku ne thjesht nuk kishim shpejtësi, por nuk ishim katastrofe. Në këtë ndeshje (ndaj Napolit) nuk bëmë asgjë. Ne duhet të kuptojmë pse ndodhi kjo. Mendoj se 8 lojtarë nga formacioni startues ishin absolutisht nën nivelin e tyre dhe tre të tjerët nuk ishin në nivelin normal”.

Më tej, Klopp u pyet nga një gazetar nëse ndeshja e fundjavës me Wolves mund të ketë ndikuar që skuadra e tij të humbiste ritmin. Trajneri gjerman u përgjigj: “Cilin ritëm?! Ne nuk kishim asgjë. A e shikuat ndeshjen tonë? Po të kishim humbur vetëm ritmin do të ishte vërtet fantastike.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb