Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorët e Njësisë 2 në kryeqytet. Gjatë këtij takimi, Kryemadhi theksoi se LSI do i mbajë të gjitha premtimet e thëna dhe se do të kujdeset që të rikthejë të rinjtë në vend..

“Motra dhe vëllezër, miq, shokë, ajo që unë dua të theksoj dhe që kam një kënaqësi sot që jam këtu, është që LSI jo vetëm rritet, por LSI po konsolidohet si një realitet kryesor në politikë. Dhe kjo ka ardhur si meritë e djemve dhe vajzave të saj. Unë shikoj LSI-në që rritet. Sot në këtë takim, ju e dini shumë mirë që përveç themeluesve të saj, pjesa kryesore, palca e saj, janë ata djem dhe vajza të cilët në 2004 ishin studentë apo gjimnazistë.

Mandi, Eri, Denisi, Erisa,të gjithë më falni që ndoshta si përmend dot emrat por ishin gjimnazistë nuk votonin dhe kanë votuar disa për herë të parë në 2005, disa në 2007 dhe sot ky suport i madh nuk vjen vetëm për LSI por vjen për Nikoletën, vjen për Klodin, vjen për Adën të cilët janë pjesë e LSI. Unë sot jam jo vetëm krenare, por jam më e vendosur se kurrë për ta çuar deri në fund betejën tonë. Betejën për një Shqipëri evropiane, betejën për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë e shqiptarëve. Kjo betejë nuk është thjesht betejë politike. Kjo është një betejë kombëtare sepse në fund të fundit, ne jemi shqiptarët që do ta ndërtojmë Shqipërinë. Djemtë dhe vajzat e Shqipërisë do ta ndërtojnë Shqipërinë. Sepse ata e duan, ata e adhurojnë vendin e tyre dhe ata do ta mbrojnë vendin e tyre. Unë sot më shumë se kurrë dua t’ju them që mirënjohja e LSI nuk është thjesht mirënjohje për të folur për ju.

Mirënjohja e LSI është me veprën, punën, angazhimin që deputetët e LSI jo vetëm në qarkun e Tiranës por në të gjithë Shqipërinë, do mbajnë fjalën, do realizojnë të gjithë angazhimet politike dhe do të bëjnë atë për të cilën shqiptarët kërkojnë. Punë të mirëpaguar. Çlirimin e ekonomisë nga oligarkët, arsim për fëmijët, shëndetësi për qytetarët shqiptarë, në mënyrë të tillë që mos të kemi më parullën një vaksinë një votë. Dikur e kishte një pallat, një votë, sot e ka një vaksinë, një votë. Ajo që dua të theksoj është që shqiptarët janë të gjithë të barabartë dhe për të ka përgjegjësi e gjithë qeveria shqiptare. Institucionet e shtetit shqiptar. Asnjeri nuk është pronë e një Kryeministri në ikje. Shqiptarët janë të gjithë të barabartë sepse për atë kanë luftuar ndër shekuj dhe nuk mund të dalë një i çmendur që të marrë në qafë, gjithë këtë rini të mrekullueshme. Prandaj më 25 prill ju ftoj të gjithëve, t’ju drejtohemi kutive të votimit. Votoni numrin 6 sepse duke votuar numrin 6, keni votuar për LSI. Keni votuar për veten tuaj, keni votuar për të ardhmen tuaj. Zoti ju ruajt ju, Zoti ju ruajt familjet tuaja. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë”, u shpreh Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb