Deputeti i PS Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend i është kthyer homologes demokrate teksa i ka thënë “më pëlqejnë poezitë e tua, por nuk di të shaj me libër”, dhe sipas tij ballina e Muzeut Kombëtar po ndërtohet me fondet e Komisionit Europian dhe jo me paratë e taksave.

Po ashtu Braçe foli edhe për rritjen e pagave, ndërsa shmangu totalisht protestën e pedagogëve duke thënë se ata që meritojnë rritje të pagës janë zjarrfikësit të cilët rrezikojnë jetën gjatë punës së përditshme.

“Zonja Açka nuk është sekret, më pëlqejnë poezitë tuaja. Unë nuk di të shaj nga librat, ata të japin liri dhe prandaj ju vlerësoj, për lirinë që përçoni përmes veprave tuaja. Dua të pohoj se historia konservohet, nuk ndryshohet, as me kazmë as me vendime. Ajo ballina e muzeut po restaurohet si monument kulture me paratë e KE, jo me ato të taksave të qytetarëve. Të flitet këtu për energji nga një palë që e penetroi sistemin energjetik nga një cep në cepin tjetër. E mori OSSH dhe e privatizoi për një familje, për pesë lekë, përmes një individi. E mori OSSH dhe e kthehu në CEZ për të rritur çmimin. Mori hidrocentralet dhe i dëmtoi duke zhvendosur balancën që kishte.

Gjithë bota ka problem prodhimin në bujqësi , ne kemi shitjen. Sistemi i tatimit që kemi ka dërrmuar përpunimin e drejtë formal që synon standardin dhe cilësinë. Kur vjen paketa fiskale dhe buxheti i ri duhet të ketë diskutime për tu dhënë zgjidhje këtyre bujqve që janë në pikë të hallit. Gruri për herë të parë po merr vëmendje, por së prapthi. Bujku po kthehet në prodhues letrash nëpër zyra nga prodhues nëpër fusha. Thoni e ka Erioni inatin me këtë e atë, ndërkohë po ju them atë që thonë bujqit. Nafta duhet të shkojë deri në fund tani. Ka ende familje bujqësore që nuk e kanë marrë naftën. Duhet të jepet tani, sepse tani plugohet toka.

Çdo rritje pagash është e mirëpritur, por insistoj te ajo pjesa e një kategorie punëtoresh që janë në rrezik gjithë ditën. Te zjarrfikësit, nuk janë punonjës administrate, nuk shkojnë në zyra. Meritojnë rritje page në përputhje me rrezikun e punës që bëjnë. Mund të ishin në një nivel me policinë, madje mund të kishin dhe një status më lartë. Tani është koha që këto kategori të trajtohen ndryshe, të marrin pagën në përputhje me punën që bëjnë”, u shpreh Braçe nga foltorja e Kuvendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb