Ivan Perisic thotë se ishte tunduar që të largohej nga Interi për Manchester United, vitin e kaluar. Anësori kroat ishte shumë i lidhur me gjigantët e Premier League gjatë verës së vitit 2017, por përfundoi me nënshkrimin e një kontrate të re 5-vjeçare në “San Siro”.

Edhe pse Perisic ishte i kënaqur nga interesimi i Jose Mourinhos, ai u bind të qëndronte tek Interi nga trajneri Luciano Spalletti. “Është e vërtetë se një ofertë nga Manchester United ishte në tryezën time. Kam qenë shumë afër largimit nga Interi, – tha ai për “FourFourTwo”.

– Kur erdhi Luciano Spalletti (në qershor 2017), tregoi dëshirë të jashtëzakonshme për të më mbajtur në ekip. Dhe e bëri të qartë se nuk dëshironte të më humbiste. Kjo ishte shumë inkurajuese për mua, ndikoi në vendimin tim për të qëndruar tek Interi. Në futboll, detajet e vogla në këto situata janë me rëndësi.

Admirimi nga një trajner si Mourinho ishte pa dyshim diçka që më tundonte. Ishte konfirmim i punës së madhe dhe shfaqjeve të mira të miat. Kur lavdërohesh nga një njeri si Mourinho, trajner i një klubi të madh si Manchester United, është e vështirë të mos mendosh për një ofertë të tillë. Jam i lumtur që ai ka një mendim të tillë për mua. Këto gjëra më motivojnë të punoj dhe të stërvitem shumë, për të arritur performancat më të mira”.

Manchester United raportohet të jetë ende i interesuar për 29-vjeçarin, teksa ai pranon se mund të bëjë një ndryshim në karrierë, duke zgjedhur Premier League, ose La Liga-n: “Në futboll, kurrë mos thuaj kurrë. Që nga fillimi i karrierës sime, kam pasur ambicien të luaj në të gjitha ligat e mëdha të mundshme. Pra, ende e kam këtë dëshirë për ta testuar veten në ligat e tjera. Sidomos në dy prej tyre, në ligën spanjolle dhe atë angleze.

Shpresoj që tifozët e Interit ta kuptojnë pikëpamjen time. Unë jam një sportist profesionist, më pëlqejnë sfidat dhe kjo është forca ime lëvizëse. Çfarë do të sjellë e ardhmja, nuk e di. Tani për tani jam i përqendruar tek Interi, ndërsa përpiqemi të bëjmë një hap më të madh përpara nga sezoni i kaluar”.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: