Nga Prof. dr. ing. Arqile TETA  – Këto ditë, në qytetin e lashtë, me kulturë dhe  histori të Poznanit, u mbajt Samiti për Ballkanin Perëndimor. Në Universitetin e këtij qyteti ndodhen departamente, katedra dhe profesorë të shquar, që lëvrojnë historinë dhe kanë bërë botime të shumta për Ballkanin dhe Shqipërinë me vlera të veçanta. Pikërisht në këtë qytet u mbajt Samiti i Shteteve të Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin nën patronazhin e presidentit të Republikës së Polonisë Andrea (Andrzej) Duda. Krahas Kryetarëve të shteteve të BE si të A.Merkel-it, Kryeministrit të Francës, atij të Holandës, të Britanisë Madhe e të tjerë, ndodheshin dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Rama, Haradinaj, Zaev etj. Në këtë Samit, fjala e Presidentit Polak Duda do të mbetet historike për ne, se ai jo vetëm mbështeti hapjen sa më shpejt të negociatave të Shqipërisë me BE, por kritikoi  BE që i ka zvarritur ato dhe e quajti të padrejtë mos mbajtjen e premtimeve nga ana e disa vendeve Europiane te BE dhe aq më keq mendimin e shtytjes më tej të këtyre negociatave. Kështu Polonia, pioniere e përmbysjes së komunizmit në Europën Lindore dhe me stazh 15 vjeçar në BE, mbetet prej vitesh një nga mbështetësit më të mëdhenj dhe më këmbëngulës të kandidaturës së Shqipërisë për të hapur negociatat me BE.

Lidhja historike dhe e simpatisë reciproke të popujve tanë, të Polonisë dhe Shqipërisë, është e hershme, i ka rrënjët në thellësi të shekujve mesjetar. Arsyet e kësaj lidhje shpjegohen me thënien e filozofit gjerman F. Niçe (Nietzche) kur shkruan “ Vetëm ata njerëz që kanë vuajtur mungesën e lirisë janë të aftë për të kuptuar njëri tjetrin”. Populli Polak në historinë shumë shekullore të tij ka zgjedhur gjithmonë rrugën e lirisë.

Në vitin 1564, historiani e shkrimtari humanist polak Martin Bjelski (Marcin Bielski) botoi në kryeqytetin e atëhershëm të Mbretërisë së Polonisë,  në Krakow, librin e famshëm të mesjetës „Kronika e gjithë Botës”. Pjesa e IV e këtij libri i kushtohet historisë së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në këtë libër (që sipas historianëve polakë ka gëzuar një popullaritet të jashtëzakonshëm në Europën e shek. XVI) ai kumton një të dhënë historike që na bën krenar për humanizmin e lidhjet e ngushta të Skënderbeut me koalicionin e atëhershem europian antiosman kundër sulltan Muratit të II. Në Varna të Bullgarise në vitin 1444 u zhvillua një nga betejat më të përgjakshme të Mesjetës ndërmjet hordhive osmane dhe mbretit të përbashkët të Polonisë dhe Hungarisë Vladislavit të III (Warnienczyk). Sulltan Murati atje ishte shumë i fuqishëm në njerëz dhe armatim. Në këtë beteje thotë Bjelski “…të krishterët pësuan humbje të mëdha”.

Mbreti polak dhe shumë luftëtarë të tij mbetën të vrarë.Të tjerët që mbetën gjallë ishin të plagosur, të rraskapitur e të uritur. Ndërmjet tyre kishte me mijra polakë, të mbetur tashmë pa mbret. Ata u tërhoqen dhe princat e tyre vendosën të shkojnë në Shqipërinë  e atëhershme (Arbëri) të prijsit i krishterë, që ishte me afër dhe aleat i mbretit të tyre. Skënderbeu thotë Bjelski „I strehoi, i ushqeu, u kuroi plagët…” Ata shpëtuan nga vdekja e sigurtë. Ky është kontakti dhe lidhja e parë miqësore e vëllazërore e polakëve me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka të ngjarë – ka dhe shenja sipas ndonjë historiani – që një numër i vogël i tyre të kenë mbetur në Shqipëri dhe në ushtrinë e Skënderbeut. Të tjerët, Skënderbeu i nxorri në Durrës dhe me rrugën e detit, me e anijet venedikase që zotëronin Adriatikun, u kthyen ne Poloni.

Në betejën e Varnës –  siç dihet nga historia tonë por e përmendin dhe burimet polake  – Skënderbeu u nis për t’u bashkuar me mbretin polak, por Despoti Serb i lidhur me osmanllinjtë nuk e lejoi të kalonte në territorin e tij. Fati i luftës do të ishte ndryshe po qe se luftetarët polako-hungarez dhe shqiptarë do të kishin arritur të bashkëvepronin në atë betejë. Faktin e kësaj lidhje të hershme e pohon edhe historian polak dr. Batowski, kur shkruan: “Në letrën që i dërgonte Kryetari i Shtetit të Polonisë Mbretit të Shqiptarëve më 1938, për të vendosur lidhjet diplomatike. Ai nënvizonte: të vendosim përsëri marrëdhëniet e prera fatkeqesisht 5 shekuj më parë”.

Për mbretin e lavdishëm legjendar polak Vladislav-in e III shkruan dhe poeti ynë kombëtar Naim Frasheëi. Ai i thur vargje  guximit dhe trimërisë së tij në këngën e VIII të poemës “Histori  e Skënderbeut”. Nuk është e rastit që Fan Noli përktheu poemën -Skënderbeu- të poetit amerikan H. Longfellow ku spikat bashkimi i Skënderbeut tonë me mbretin polak – Ladisla-un – siç e quan Noli, në një front antiosman në Europë.

Më 1572 nga poeti polak Kristofor Varsheviecki (Krzysztof Warszewicki) botohet poema me vargje plot patos për trimëritë e bëmat e Skënderbeut. Nis kështu një rrymë e fuqishme në letërsinë polake që zgjati mbi dy shekuj, e cila u quajt leteërsia antiosmane (polonisht antiturecka). Dhjetra e dhjetra poetë e shkrimtarë polakë ekzaltojnë figurën legjendare të Skenderbeut dhe luftrat e betejat e tij. Kjo letërsi dhe figura e Skënderbeut e frymëzoi mbreti polak Jan Sobieski, që më 1684 te shpartallojë përfundimisht osmanllinjtë në betejën e famshme para mureve të  Vjenës.

Populli polak, si një popull i lidhur me besimin e vet fetar, çmon pa masë aktin kanonik të kurorëzimit me kurorën papnore, Ikonën e Nënës Shënmëri (Patronia dhe Mbretëresha e Polonisë) në Manastirin e dëgjuar e të vizituar nga miliona njerëz të Çenstohovës, nga Papa me origjinë shqiptare Klementi i XI (1649-1721). Në kohërat moderne ishte Papa polak Gjon Pali i II, i cili ngriti në piedestalin e shënjtvrisv Nvnë Teresën, bijën e popullit shqiptar, me të cilën ne krenohemi.

Pas Çlirimit Polonia ishte një nga shtetet e para që çeli ambasadën e vet në Tiranë. Ndihmat dhe shkëmbimet kulturore e tregtare sidomos në fushën e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ishin në një mirëkuptim e mbarëvajtje shumë miqësor deri në vitet ’60. Mbi 100 studentë u përgatiten në universitetet e Polonisë në ato vite si inxhinierë, gjeologë, arkitektë, mjekë, piktorë etj.

Albanologu i shquar polak Vacllav Qimohovski (Wacław Cimochowski) ka dhënë  kontribut të çmuar me studimet e tij për origjinën e gjuhës shqipe nga ilirishtja dhe citohet nga gjuhëtarët tanë si një studius me shumë vlera në albanologji.

Mbetet fakt i paharueshëm dhe emocionues hapi parimor e dinjitoz që bëri Polonia në njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndonëse shtet sllav. Ajo veproi në kundërshtim me porositë e Sërbisë sllave. Polonia përkrahje menjëherë njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Ajo zë vendin e gjashtë në listën e shteteve që kanë njohur zyrtarisht Shtetin e Pavarur të Kosovës.

Në Poloni në dhjetë vjeçarët e fundit janë përgatitur mbi 50 kuadro të larta. Në Poloni njihet mirë letërsia shqiptare. Shumë vepra të shkrimtarëve tanë më të mirë janë përkthyer. Po kështu vitet e fundit edhe letërsia polake përkthehet nga disa përkthyes shqiptarë. Në Tiranë janë botuar dy fjalorët: polonisht – shqip dhe shqip – polonisht me nga 30 mijë zëra secili. Janë krijuar filma të përbashkët, ekspedita polake kanë marrë pjesë në kërkime arkeologjike. Shumë pajisje, mekanizma e makineri për industrinë tonë minerare dhe energjetike janë importuar nga Polonia. Një bashkëpunim i frytshëm dhe dinamik zhvillohet pej vitesh ndërmjet Kontrollit të Lartë të Polonisë dhe KLSH te Shqipërisë. Në dy vendet tona ekzistojnë  Shoqëri Miqësie të gjalla dhe aktive që kontribuojn në njohjen e kultures, historise dhe afrimin sa më të madh të popujve tanë.

Kjo miqësi e lidhur dhe e kultivuar në shekuj gjen pasqyrim dhe në dëshirën e madhe që kanë polakët për të vizituar vendin tonë. Numri i turistëve polakë rritet çdo vit me disa dhjetra mijë. Na takon neve të jemi mikpritës të denjë e të devotshëm për këta miq të shtrenjtë, që meritojnë respekt dhe dashuri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb