Avokati i Popullit njofton opinionin publik se ka rekomanduar fillimin e hetimeve penale në ngarkim të një punonjësi të Policisë së shtetit, për veprën penale të “Torturës”.

Nuk është tashmë një fenomen i panjohur që qytetarë shqiptarë të cilët vuajnë dënime apo janë në pritje të një dënimi nga gjykatat, trajtohen në mënyrë të padenjë e ndonjëherë edhe çnjerëzore nga autoritetet tona të Policisë.

I tillë është rasti i konstatuar nga Avokati i Popullit, në lidhje me qytetarin F.B. i dënuar për veprën penale të “Falsifikimit” me dy vjet heqje lirie. Për shkak të problemeve të rënda shëndetësore, i dënuari është transferuar në ambientet e QSUT në masa sigurie.

Gjithsesi, sipas ankesës nga vetë i dënuari si dhe nga konstatimet e bëra nga ekspertët e zyrës së Avokatit të Popullit, i dënuari është mbajtur i lidhur me pranga në krevatin ku vuan sëmundjen, pavarësisht pranisë së punonjësve të policisë.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe dëshmive të oficerëve shoqërues të policisë, është arritur në përfundimin se kjo sjellje ndaj të dënuarit është kryer në zbatim të një urdhëri nga ana e Nënkomisarit të Policisë, A.D. i cili edhe pse është ftuar të vijë për të dhënë shpjegime në Institucionin e Avokatit të Popullit, e ka injoruar këtë.

Mbajtja e lidhur me pranga e të dënuarve që marrin shërbim shëndetësor konsiderohet një sjellje çnjerezore dhe element torture si dhe është i përjashtuar shprehimisht nga Manuali i “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin & Sigurimi e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”.

Gjithashtu theksojmë se në disa raste edhe Komiteti i Parandalimit tё Torturёs (KPT) tё Kёshillit tё Europёs ёshtё shprehur se praktika e mbajtjes sё prangosur nё spital e personave tё burgosur ёshtё njё akt degradues ndaj individёve dhe duhet zëvëndёsuar me masa tё tjera alternative sigurie.

Për këtë arsye, Institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar: Fillimin e hetimeve penale në ngarkim të punonjësit të policisë N/Komisar A.D. për veprën penale të “Torturës”, parashikuar nga neni 86 i K.Penal, të ndryshuar.

Marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e të drejtave themelore kushtesuese të shtetasit F.B., duke i hequr prangat dhe mos mbajtjen e tij të lidhur pas krevatit gjatë kurimin në QSUT “Nënë Tereza” Tiranë.

Marrjen e masave të menjëhershme për njohjen e punonjësve të Policisë së Shtetit me Manualin e “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin & Sigurimi e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”, miratuar me Urdhrin nr. 736, datë 27.09.2011 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Përgjithësimin e këtij rasti me qëllim që të mos përsëritem më raste të tilla të shkeljes së të drejtave themelore të shtetasve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Analizimin e këtij rasti dhe nëse rezultojnë përgjegjësi administrative marrjen e masave përkatëse.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb