Dikush e kishte pasur babanë tregtar. Dikush, ishte “me prejardhje armiqësore”. Gjithçka vlente si arsye që të rinj, ende në moshë gjimnazi, të viheshin në kontroll nga Sigurimi dhe, me shenjën më të vogël, të çoheshin pas hekurave.

Raportet e Sigurimit në zonën e Përmetit flasin sesi një rrjet agjentësh si “Çapkëni”, “Sirena” “Vigjëlenti” etj. kontrollonin të rinjtë e familjeve “reaksionare”. Dhe megjithëse nuk kishte zbuluar asnjë vagabondazh, krim apo veprimtari armiqësore, Sigurimi mbetej i shqetësuar sepse nuk kishte rekrutuar asnjë bashkëpunëtor nga gjimnazistët.

Sigurimi
Sigurimi

Nga Xhafer Sadiku

Të rinjtë e familjeve që regjimi i shpalli të padëshiruara dhe armike, krahas kontrollit që u bënin organizatat e masave, i nënshtroheshin edhe kontrollit agjenturial-operativ të sigurimit të shtetit. Në radhët e rinisë me “prejardhje armiqësore”, sipas raporteve të sigurimit, kategorizoheshin, “elementët e deklasuar të shtresave të larta e të mesme, kulakë e çifligarë, ata që kanë prindërit të pushkatuar, t’arratisur, burgosur, internuar, si edhe elementët me pikëpamje revizioniste e anti-parti dhe personat me qëndrim e moral antisocialist”. Numri i tyre ndryshonte nga koha në kohë, varësisht nga politika që ndiqte regjimi në jetën e brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Më 1958, në drejtim të rinisë që nuk frekuentonte shkollën e mesme, sigurimi kishte regjistruar në kontingjente 36 veta, nga të cilët 16 në qytet, ndërsa 20 të tjerë nga të rinjtë e fshatit, si bij kulakësh dhe familje të tjera të prekura nga pushteti. Këtu nuk përfshiheshin të rinjtë që sigurimi i kishte implikuar në drejtime të tjera si p.sh. ballist etj..

Sipas raporteve të sigurimit, gjatë atij viti kishte pasur një aktivitet më të theksuar armiqësor nga ana e të rinjve, ku përveç propagandës ishin arratisur për në Greqi dy të rinj nga katundi Strëmbec. Një tjetër i ri, Ilia Minella nga katundi Çarshovë, tentoi të arratisej, por u kap dhe u dënua me 12 vjet burg.

Në fund të atij viti, sigurimi vuri në përpunim të rinjtë Gjergj Avram Prifti dhe Berti Gore. Në fakt, ata nuk kishin bërë asgjë, por familjet e tyre kishin qenë të pasura. Kështu, për Gjergj Priftin, sigurimi shkruante se ishte nga shtresë e pasur, babai i tij kishte qenë tregtar, ndërsa për Berti Goren, se rridhte nga një familje borgjeze dhe se i ati i tij kishte qenë farmacist.

Sektori i sigurimit kërkonte aprovimin e organit epror për përpunimin aktiv të tyre duke theksuar se “Gjergj Prifti si element që rrjedh nga një shtresë borgjeze, kohët e fundit ka qenë në lëvizje, ka krijuar një rreth shoqëror me të rinj që vijnë nga këto shtresa si Berti Gorën, Vangjush Poplin, Vangjush Angjelin, Piro Kosovën e tjerë…”.

Në raportet e sigurimit lexohet: “Me qenë se në drejtim të këtij sektori nuk kemi as një të dhënë të saktë, të merret në studim masa e të rinjve në qendrat e punës, masën e të rinjve që grumbullohen në shtëpinë e kulturës, të papunët dhe nga kjo masë të nxirren të rinjtë me përbërje të keqe, vagabond e tjerë dhe të krijohet një evidencë e plotë e kontingjentit të Rinisë”.

Në drejtim të këtij kontingjenti të merren këto masa:

-Në drejtim të elementit kryesor të grumbullohen të dhëna biografike, dorëshkrimet e tyre që nevojiten.
-Të rekrutohen tre bashkëpunëtorë nga masa e të rinjve, dy në qytetin e Përmetit dhe një në qytetin e Këlcyrës.

Në planin e punës të seksionit të sigurimit për vitin 1959, në drejtim të rinisë, u caktoheshin detyra punëtorëve operativë për të krijuar evidence për të rinjtë nga familjet e ish-kuadrove të ballit dhe të organizatave të tjera të supozuara nga sigurimi i shtetit, ku përcaktoheshin këto masa:

Të bëhet shkallëzimi i tyre dhe për elementin kryesor të merren masa për ta vënë ndën kontroll agjentural, duke rekrutuar bashkëpunëtorë nga radhët e tyre.

-Kujdes të veçantë do t’i kushtohet zbulimit të formave dhe metodave që përdor elementi armik për të kompromentuar element të rinj dhe për t’I hedhur ata kundër pushtetit. Për këtë:

1) Të analizohen grindjet dhe përçarjet në katundet Rodenj, Shelq, Bënjë, Çarshovë, Strëmbec etj. ku elementë të rinj zhvillojnë aktivitet kundër kooperativave bujqësore dhe luftojnë kundër kryesive dhe udhëheqësve të kooperativës, të dalë shkaktari që i shtyn këta të rinj dhe të merren masa agjenturalo-operative në drejtim të tyre.

2) Të studiohen të rinjtë Qamil Kamani, Ali Sakollari, Hyqmet Sakollari dhe Aki Sakollari…

3) Të drejtohet B.P. “Oratori” dhe “Xhuleta” në drejtim të rrethit që kish krijuar Lime Shehu në Këlcyrë, sot në burg, për të parë si reagon ky rreth elementësh dhe në qoftë se do të aktivizohet të merren masa për t’i përçarë duke vënë ndën kontroll elementin kryesor.

4) Të drejtohet B.P. “Bujku” dhe “Sopoti” për të kontrolluar të rinjtë Grigor Haxhi dhe Anesti Dode nga Çarçova dhe në qoftë se kanë përsëri tendencë për arratisje të vihen menjëherë në përpunim”.

Sigurimi kërkonte të mbante nën kontroll të rinjtë që punonin sharrëxhinj në zona të ndryshme të vendit. Në planin e sigurimit për atë vit, theksohej:

Të merren në analizë të rinjtë e katundeve Strëmbec, Pëllumbar, Draçovë, Zhepë, Kanikol dhe Çarçovë, të cilët lëvizin poshtë e lart për punë. Të bëhet shkallëzimi i tyre dhe elementi që paraqit interes të merr ndën kontroll agjenturial. Në radhët e këtyre elementëve të rekrutohen 3 B.P.


Të aktivizohet më mirë agjentura në drejtim të të rinjve të qytetit të Përmetit që vijnë nga shtresa me influencë reaksionare, bij tregtarësh dhe vagabond. Përveç B.P. “Sirena” dhe Ekonomisti” të drejtohen edhe B.P. “Çapkëni” dhe “Vigjëlenti”. Të ndiqet me kujdes rrethi shoqëror i formuar në këtë qytet nga Gjergj Prifti, Vangjel Popli, Piro Nanaj, etj. Të merren masa për të mos e lënë të aktivizohet kundër pushtetit…

Të aktivizohet agjentura në shkollën e mesme për të kontrolluar më mirë aktivitetin e mundshëm, të rekrutohet edhe një b.p. tjetër.

Punëtorët operativë të zonave u ngarkuan me detyrë të bënin seleksionimin e tyre dhe të krijonin një evidencë të rinisë reaksionare me gjithë materialet përkatëse dhe të punohej për grumbullimin e të dhënave biografike për këtë kontingjent.

Kontrolli agjentural i të rinjve nga familjet “reaksionare” u intensifikua në vitet që do të vinin.

Në vitin pasardhës sigurimi rekrutoi bashkëpunëtorë të rinj në Përmet, Këlcyrë e Ballabn. Në drejtim të rinisë “reaksionare”, drejtoi agjenturën e sprovuar të sektorëve të tjerë.

…Në qytetin e Përmetit, sipas sigurimit, kishte elementë me përbërje mjaft të keqe, për të cilët vinte në dukje se: “nuk dimë asgjë për ta, për arsye se mungon agjentura në drejtim të tyre”.

Me gjithë kontrollin agjenturor dhe të vijës së masave, për të rinjtë e regjistruar si kontingjente armike, sigurimi nuk kishte të dhëna “për veprimtari armiqësore dhe për shfaqje të huaja amorale”. Por shqetësimi i sigurimit ishte tjetër: “Megjithëse deri tani për qytetin tonë nuk është problem as vagabondazhi, as vjedhja, as ndonjë veprimtari tjetër e huaj dhe armiqësore, por fakti që si në shkollat e mesme dhe në qendrat e punës dhe ato të administratës nuk kemi asnjë b.p. nga radhët e rinisë”.

Për të mbajtur nën kontroll të rinjtë, u ngarkua me detyrë punëtori operativ të bënte rekrutime nga radhët e tyre.

Marrë nga libri “Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990)” i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK./Kujto.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb