TIRANË

Vettingu u rikthye në ish-Pallatin e Kongreseve. Komisionerët u larguan nga shtëpia e tyre e re tek ish Lidhja e shkrimtarëve në rrugën e Kavajës, ku për një muaj zhvilluan seancat dëgjimore publike me njerëzit e drejtësisë, të cilët po kalojnë në filtrin e trefishtë të kontrollit. Sallat e vogla, që duket se ishin kthyer në një problem pasi cënonin solemnitetin e gjykimit të çështjes, bënë që qeveria të vihej në lëvizje. Kështu më vendim të Këshillit të Ministrave, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i është vënë në dispozicion një sallë tek pallati i Koncerteve, ambjent në të cilin prokurorë e gjykatës do të japin provimin e Vettingut.

Pikërisht në këtë sallë, Ramadan Troci, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme u përball këtë të premte me institucionet e rivlerësimit kalimtar. Ai vetohet me përparësi për shkak se kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupa gjykuese relatoi se hetimi për prokurorin e karrierës kishte përfunduar në të trija kriteret, pasuri, figurë morale dhe aftësi professionale.

Nga hetimi janë konstatuar problematika në pasurinë që zotëron subjekti I rivlerësimit. ILDKPI ka relatuar se Troci ka burime të mjaftueshme financiare, por ka fshehur pasurine. Bëhet fjalë për një ndërtesë 32 metra katrorë në zonën e Paskuqanit, por Troci tha se ajo i përket babait të tij dhe se ai vetë nuk ka patur asnjëherë dijeni për të.

Problematike është evidentuar edhe fakti që prokurori jeton në një apartament në zonën e Pazarit të ri, që sipas Trocit i përket një mikut të tij, i cili ia ka lënë me qira.

Sa i përket figurës morale, Ramadan Troci rezulton i pastër, pasi nuk janë gjetur lidhje të tij me personazhe të papërshtatshme me botën e krimit të organizuar.

Lidhur me kriterin e aftësive profesionale, Komisioni tha se janë verifikuar shtatë dosje të aksidenteve me vdekje në minierat e Bulqizës.

Trupa gjykuese tha se hetimet kanë qenë të cekëta dhe jo efektive dhe faji u është lënë viktimave. Por Troci i rrëzoi pretendimet e Komisionit dhe argumentoi se këto pretendime janë hetuar edhe më herët nga prokuroria e përgjithshme dhe hetimet kanë rezultuar të rregullta.

Në vijim të seancës, kandidati për Këshillin e Lartë të prokurorisë, foli për një sulm të paprecedentë dhe kërcënime të shumta në emrin e tij e pjesëtarëve të familjes, kur firmosi për sekuestrimin e pronave në Vlorë, në shumën e 850 milionë eurove.

Kini durimin e më dëgjoni – u kujtoi ai komisionerëve – jam kërcënuar sepse preka interesa të larta e njerëz të rëndësishëm, e kam menduar se do ti shkonit deri në fund kësaj cështje.

Në fund, ai kërkoi konfirmimin në detyrë e në respekt të ligjit.

Vendimi për Ramadan Trocin, i cili do të mbahet mend si prokurori, që hetoi dhe arrestoi ish guvernatorin Ardian Fullani dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpetim Gjika, pritet të shpallet me datë 14 nëntor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb