TIRANE – Vinka një moshë dhe koha të duket sikur fluturon. A nuk ishim dje, po ne që festuam 60-vjetorin e mikut tonë, më falni mikut të të gjithëve, shkrimtarit, gazetarit, dramaturgut dhe intelektualit të shquar Bashkim Hoxha. Sidoqoftë, ajo që mbetet dhe nuk do t’ia dijë për rregullin universal të konceptimit të ecurisë së kohës, mbetet diçka shumë më e rëndësishme, vepra e gjithsecilit, emri që le pas. Dhe Bashkimi mbetet më shumë se kaq; ai me punën e tij, me mençurinë, me kulturën, me krijimtarinë e pareshtur letrare dhe sidomos me të kuptuarit e rolit që ka intelektuali që është në paqe me ndërgjegjen e vet, veçanërisht në periudha ndryshimesh, u shndërrua në simbol qytetarie, atdhetarie dhe sidomos demokracie. Ka kaluar gati një çerek shekulli, dhe tani secili mund të ballafaqohet me thënien e Sofokliut se “Vetëm koha e tregon njeriun e vërtetë”. Bashkimi e ka fituar respektin e njerëzve anë e mbanë Shqipërisë, edhe pse në start nuk ishte dhe aq i barabartë me të tjerët. Dhe kjo, jo për faj të tij. Por të fatit, që me tekat e veta, shpesh na rendit atje ku as e presim dhe as e dëshirojmë. Gjithsesi, ne jemi njerëz, pra qenie të gjalla, me një limit të përcaktuar nga Tri Fatitë. Kemi të drejtën të jetojmë jetën dhe absolutisht nuk kemi përse të mbajmë mbi supe mëkatet e të tjerëve, apo të kohës kur jetuam. Eshtë detyrë e jona që në veprimtarinë e përditshme të jemi në harmoni me veten tonë, pa na u dridhur qerpiku nga çdo paragjykim a stigmatë sa absurde aq dhe tendencioze. Bashkimi, guxoi dhe doli mbi kohën. Madje u bëri thirrje edhe të tjerëve se është “Koha për t’u zgjuar”. Shkroi aq romane, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, vuri në skenë disa prej tyre, dhe riaktivizoi teatrin emërmadh “Aleksandër Moisiu” ku është drejtor i tij. Dhe të tjerët që s’ishin pak, por gati e gjithë Shqipëria, e kuptuan atë nga thellësia e gjykimeve, nga sinqeriteti i fjalëve, nga ëmbëlsia e shikimit. I besuan atij, pa e vënë asnjëherë në dyshim atë u thoshte, ndaj fitoi respektin gjithmonë në rritje të gjithkujt, pavarësisht krahut politik që i përkiste. Ashtu sikurse ka emrin ai ka dhe kurajën të predikojë bashkimin. Atë bashkim i cili shpesh na ka munguar. Ashtu sikurse tek ai edhe ankoheshin, pasi pushteti dhe administrata e tij, sado të përsosur të jenë, do të ketë vend për korrigjime. Dhe kur pas shtatëmbëdhjetë vitesh, mendoi se duhej të largohej, pasi ekrani ka ca rregulla që duhen respektuar, u bë më i kërkuar. Boshllëku që krijoi mungesa e tij ngjalli reaksion: njerëzit e donin akoma më shumë se sa atëherë kur ai me një farë mëdyshje u shfaq. Kishte hyrë brenda çdo shtëpie dhe largimi i tij ishte sa i papritur aq dhe dëshpërues. E kërkuan me ato format e pashpjegueshme të miratimit mbarëpopullor që do t’i kishin zili edhe vetë politikanët profesionistë. Dhe ai për gëzimin dhe kënaqësinë e të gjithëve u kthye. Tani ishte triumfues, se kishte fituar përfundimisht zemrat e tyre dhe kishte kishte vërtetuar përcaktimin e Sofokliut që deklaronte se “Për dashuri, jo për urrejtje jam lindur.” Me këtë kohëzgjatje dhe me këtë mirëpritje ai i bëri një shërbim të çmuar mediave tona të lira, duke u bërë shembull se si mund të ruhet reputacioni dhe dinjiteti, duke vënë mendjen dhe shpirtin tënd në funksion të parasë, por të popullit tënd i cili shpreson edhe te ty.
KUSH ESHTE BASHKIM HOXHA
Bashkim Hoxha është shkrimtar shqiptar i lindur në 1954. Ka krijuar disa vepra letrare të njohura në mbarë shqiptarë dhe për to qyteti i Durrësit me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij i ka dhënë mirënjohje “Qytetar Nderi i Durrësit.” Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë vepra si: “Heronjtë e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero”, “Dëshmitari i Shkretëtirës”, “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Fjalë të ndyra dashurie”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli”, “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”. Hoxha është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër që nuk i mungon asnjëherë publikut. Po ashtu Bashkim Hoxha është i njohur për emisionin e tij të mëngjesit, “Koha për t’u zgjuar” në “Neës24”, në të cilin komunikon me një pjesë të teleshikuesve për probleme në përgjithësi që nga viti 1997. Më 30 qershor 2010, presidenti i Republikës Bamir Topi i akordoi titullin MJESHTER I MADH, në një ceremoni ku u dha edhe premiera e komedisë së tij, “Udhëtimi pa vizë i një alieni”. Nga: SHPENDI TOPALLAJ (Gazeta Telegraf)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: