FIER

Një dhunë që vazhdonte prej vitesh që solli dhe vrasjen e të resë Sabrina Bengaj, e cila nuk i mbushi kurrë 23 vjeç e në vend që sot të festonte ditëlindjen, bën të tretat e zeza.

Gazetarja Dorjana Bezat ka qëndruar gjatë gjithë ditës në familjen e prindërve të Sabrinës ku ka mësuar dhe detaje për lidhjen e saj me Elton Metaj që 13 vjeçe dhe largimin nga shtëpia. Ajo ka sjellë në emisionin “Me zemër të hapur” në Neës24 rrëfimin e babait dhe gjyshes së Sabrinës, duke treguar dhunën që e reja kishte pësuar nga ish-bashkëshorti dhe që kishte sjellë ndarjen një vit më parë.

“Kur ishte 14 vjeçe Sabrina u njoh me Eltonin, dhe pa e njoftuar familjen iku në banesën e tij ku vazhduan bashkëjetesën. Më pas patën dhe miratimin e prindërve.

Gjatë këtyre viteve, më vonë familja mëson se Sabrina është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj.

Dhuna nuk ka nisur që në fillim, më vonë xhelozia, mungesa e vëmendjes për familjes, nuk i përgjigjej nevojave të familjes dhe as Sabrinës, as për ta çuar tek mjeku. Ishte xheloz nuk e lejonte as të vizitohej tek mjekët burra. Nuk e lejonte të kishte as një jetë sociale.

Në shtator të vitit të kaluar Sabrina i dha fund kësaj martese, pa fotot në celular të bashkëshortit me vajza të tjera dhe u largua duke u kthyer tek babai.

Muajt e parë ka pasur iniciativa nga të dyja familjet që çifti të pajtohej për hatër të vajzës së mitur, pa i ditur episodet e dhunës”, tregoi gazetarja Bezat.

Gjyshja e Sabrinës tregoi se kur mbesa ishte kthyer në shtëpi, i kishte treguar kunatën shenjat e dhunës dhe rrahjet e Eltoni. “Në kohën e fundit tregoi për dhunën. Mua nuk më tregonte, i kishte treguar nuses së djalit, disa të nxira, i kishte thënë që mua më rrihte Eltoni me rripin e mesit. I kishte bërë gjunjët copë. Tha që ‘më la, kur çupa e vogël vuri ulërimën’. E qëllonte me çfarë të kishte, në kokë”, tregoi gjyshja.

Sabrina Bengaj u vra me armë zjarri rreth orës 22:50 të 10 shtatorit, në fshatin Zhupan, nga ish-bashkëshorti Elton Metaj Bengaj, 31 vjeç, në banesën e prindërve të saj ku jetonte prej 1 viti, nga divorci.

Vrasësi u arrestua pas disa orësh, teksa ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar në fshatin e tij Peshtan.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb