FIER

Policia e Fierit ka zbardhur në kohë rekord ngjarjen e ndodhur në fshatin Pishë të Fierit ku një çift të moshuarish ranë pre e grabitjes.

Policia sekuestroi edhe shumën e parave të vjedhura si dhe një sëpatë me të cilën autori kërcënoi çiftin e të moshuarëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas telefonatës së marrë rreth orës 23:00, se në fshatin Pishë të Fierit kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje së bashku me grupin hetimor.

Falë profesionalizmit dhe reagimit në kohë, policia bëri të mundur identifikimin e autorit dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kërkimesh bëri të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Dh., 47 vjeç, banues në Pishë.

Gjithashtu shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale paratë dhe mjetin prerës sëpatë.

Nga veprimet e para hetimore te kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, rezultoi se ky shtetas, rreth orës 23:00 të një natë më parë, është futur me forcë duke thyer derën e banesës së shtetasit V. P., 70 vjeç, dhe nën kërcënimin e një arme të ftohtë (sëpatë) ka arritur të marrë me dhunë 30 mijë lekë të reja dhe më pas është larguar.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb