Tenistja 22-vjeçare australiane Destanee Aiava, aktualisht numri 463 në botë për femra, ka bërë së fundi një rrëfim tronditës. “Nuk dëshiroja më të festoja 22-vjetorin e lindjes”, ka thënë tenistja, që disa vite më parë konsiderohej si e ardhmja e këtij sporti në Australi.

Ajo ka publikuar së fundi një tekst që shoqëronte fotot e ditëlindjes së saj të 22-të. “Natën e Pashkëve, më 17 prill, isha duke u hedhur nga një urë. 3 persona kaluan aty atë moment, më tërhoqën me forcë nga ura dhe më sollën në shtëpi”, shkruan Destanee Aiava.

Vetëm tri vite më parë, tenistja japoneze Naomi Osaka e vlerësonte rivalen e saj australiane pas një dueli që patën zhvilluar në Brisbane. Madje dy tenistet kanë ngjashmëri. “M’u duk sikur po luaja ndaj vetes time, por më të re në moshë. Më pëlqeu loja e saj”, tha në vitin 2019 Osaka për Aiava pas ndeshjes.

Në vitin 2017, Destanee Aiava u bë tenistja e parë e këtij mijëvjeçari (e lindur pas vitit 2000) që fitonte një ndeshje tenisi në turnetë WTA (si profesioniste). Atë vit ajo fitoi dy turne ITF dhe premtonte shumë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb