Më shumë se 130 deputetë të BE-së kanë nënshkruar një peticion duke bërë thirrje për futjen e një takse mbi pasurinë e “super të pasurve” në shkallë ndërkombëtare për të marrë pjesë në “tranzicionin ekologjik dhe social”. “Atë që kemi mundur të arrijmë për shumëkombëshet, duhet ta bëjmë tani për të pasurit”, shkruan eurodeputetja franceze Aurore Lalucq dhe ekonomisti Gabriel Zucman, nismëtarë të fushatës.

Qëllimi i peticionit është “të reduktojë pabarazitë dhe të ndihmojë në financimin e investimeve të nevojshme për tranzicionin ekologjik dhe social”.

Propozimi
Marrëveshja historike për një taksë minimale globale prej 15% mbi kompanitë shumëkombëshe pritet të hyjë në fuqi këtë vit. Por eurodeputeti dhe ekonomisti, ekspert i evazionit fiskal dhe taksimit të të ardhurave të larta, shkoi edhe më tej në një intervistë për gazetën franceze Le Monde: “Propozimi ynë është i thjeshtë – shpjegojnë ata: të vendoset një taksë progresive mbi pasurinë të super të pasurve në shkallë ndërkombëtare për të reduktuar pabarazinë dhe për të ndihmuar në financimin e investimeve të nevojshme për tranzicionin ekologjik dhe social”.

Tatim 1.5% mbi asetet prej 50 milionë euro ose më shumë
Autorët lënë të kuptohet idenë e një takse 1.5% për asetet prej 50 milionë euro ose më shumë, por thonë se niveli i saktë i taksës duhet të vendoset “kolektivisht dhe në mënyrë demokratike”. Prandaj, Lalucq dhe Zucman ftojnë OECD-në dhe Kombet e Bashkuara të fillojnë negociatat për taksën dhe i kërkojnë BE-së të veprojë.

Peticioni
Në artikull ata argumentojnë se në vitin 2018 Elon Musk, në atë kohë njeriu i dytë më i pasur në botë, “nuk pagoi asnjë qindarkë në taksa federale” dhe se në Francë “370 familjet më të pasura në fakt tatohen vetëm 2 ose rreth 3%. Peticioni u nënshkrua kryesisht nga eurodeputetë të gjelbër dhe të majtë, një duzinë ekonomistë dhe OJQ ndërkombëtare, përfshirë Oxfam.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: