KATSINA

Forcat e sigurisë shpëtuan të enjten gati 350 djem shkolle, të cilët ishin rrëmbyer në Nigerinë veriperëndimore dhe ishin marrë në një pyll të madh, tha guvernatori i shtetit Katsina, duke sjellë lehtësim për shumë familje.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse të gjithë djemtë e zhdukur ishin marrë prapë mbrapsht. “Unë mendoj se kemi rikuperuar shumicën e djemve,” tha Guvernatori Aminu Bello Masari në një intervistë televizive me kanalin shtetëror NTA, shkruajnë mediat e huaja.

Ka dyshime se djemtë mund të jenë rrëmbyer nga ana e grupit militant Boko Haram. Rrëmbimi mbërtheu një vend tashmë të ndezur nga pasiguria e përhapur dhe ngjalli kujtime të rrëmbimit të Boko Haram në vitin 2014 të më shumë se 270 vajzave shkollore në qytetin verilindor të Chibok.

Të premten e kaluar natën, persona të armatosur bastisën Shkollën e Mesme Shkencore të Qeverisë në Katsina me motor dhe dërguan djemtë në pyllin Rugu, në incidentin më të madh të tillë në rajonin nigerian.

Masari tha se një total prej 344 djemsh të mbajtur në pyll ishin liruar në shtetin fqinj Zamfara. Ai nuk tha sa kishin humbur ose si u liruan. Ai u shpreh se forcat e sigurisë kishin rrethuar zonën ku djemtë mbaheshin dhe u ishin dhënë udhëzime për të mos qëlluar. “Falënderojmë Zotin që ata morën këshillën tonë dhe nuk u qëllua as edhe një e shtënë,” tha ai. Djemtë pritet që të bashkohen me familjet.

Punonjësi shëndetësor në pension Shuaibu Kankara, djali 13-vjeçar i të cilit Annas Shuaibu ishte midis djemve të rrëmbyer, nuk mund ta përmbajë gëzimin e tij me lirimin e vogëlushëve. “Unë jam shumë i lumtur,” tha ai. “Ne jemi shumë mirënjohës guvernatorit të Katsina dhe të gjithë atyre që punuan shumë për të siguruar lirimin e djemve”.

Presidenti Muhammadu Buhari mirëpriti lirimin e studentëve dhe kërkoi durim ndërsa administrata e tij merrej me çështje të sigurisë. “Ne kemi shumë punë për të bërë,” tha ai në një deklaratë. Rrëmbimi ishte i vështirë për Buharin, i cili vjen nga Katsina dhe ka thënë vazhdimisht se Boko Haram është “mundur teknikisht”.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: