Pas shqyrtimit të kërkesës së 50 deputetëve të Kuvendit, për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, Komisioni i Ligjeve, u ndal në pyetjet-përgjigjet mes anëtarëve në lidhje me këtë nismë.

Deputeti opozitar, Adriatik Alimadhi ishte i pari që mori fjalën, e ngriti pyetjen se në Kushtetutë theksohet se deputetëve i përfundon mandati tre muaj para se të formohet qeveria e re, e shtoi se shkarkimi i Presidentit i përafron më së shumti një retorike politike, se sa shkeljeve.

“Komisionet hetimore nuk ngrihen gjatë tre muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Duke parë nenin 47 të Kushtetutës thuhet se punimet Kuvendi i zhvillon në tre sesione, nëse do të shohim datën e parë të hënë i bie data 6.

Ne jemi në datën 5, komisioni nuk është ngritur akoma, a kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës. Në kërkesat për shkarkim, miratohen disa shkelje të presidentit, unë i shoh si retorikë politike se sa më shumë shkelje. Jemi në situatë të qetë politike. A ka mundësi të më thoni a ka pasoja për të ngritur këtë komision për shkarkimin e Presidentit”, pyeti Alimadhi.

Pyetjeve të para të Adriatik Alimadhit, iu përgjigj kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se Kuvendi është ende i mandatuar dhe i gatshëm për të ndërmarrë këtë nismë.

“Meqenëse pyetja e parë kishte të bënte me mua si kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në kushtetutë Parlamentare, Komisioni i Ligjeve, është i hapur të shqyrtojë të gjitha nismat e deputetëve, në përputhje me nenin 112. Më pas, pyetja juaj nëse Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë të ngrejë një komision hetimor, 4 muaj para se të përfundojë afati. Unë them se jemi në kohë për të shqyrtuar këtë kërkesë.

Referuar dokumenteve parlamentare, këtij Kuvendi i mbaron afati më datë 9 shtator të vitit 2021. Sot është data 5 maj, e ende nuk ka hyrë Kuvendi në katër muajt e përfundimit të mandatit. Komisioni i Ligjeve është brenda afateve për ta shqyrtuar kërkesën e deputetëve, që kërkojnë shkarkimin e Presidentit. Besoj në emër të nismëtarëve, zonja Hysi dhe Bushati kanë përgjigje, në lidhje me shkeljet konkrete dhe pasojat që kanë ardhur”, tha Manja.

Ndërsa, anëtarja Vasilika Hysi, një prej fiërmëtarëve të nismës për shkarkimin e Presidentit, tregoi edhe njëherë arsyet se përse 50 deputetët e Kuvendit kanë kërkuar këtë hap.

“Ato që ne konsiderojmë shkelje të rënda Kushtetutës. Zoti Alimadhi ne nuk gjykojmë për situatën post-zgjedhore. Dekreti për mbrojtjen e Republikës, vdekjen e tradhtarëve etj, nuk është gjuhë për të qëndruar mbi palët, por është gjuhë e urrejtjes. Deputetët që kanë firmosur kërkesën kanë diskutuar sjelljen e Presidentit, para fushatës, gjatë dhe ditën e heshtjes. Këto kanë rëndësi.

Pasoja kanë pasur, ngjarja në Elbasan, grupet paramilitare për të mbrojtur votën. Tregojnë që kushtetuta është shkelur dhe janë shkelur disa parime. Nëse do t’ju bëja një pyetje, a ka mbajtur Presidenti i Republikës paanësi, apo është pozicionuar politikisht? Presidenti i Republikës ishte shumë aktiv gjatë fushatës. Këto janë shkelje të rënda të kushtetutës”, nënvizoi Hysi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb