Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” kanë risjellë këtë të premte në vëmendjen e publikut tre histori, që janë trajtuar gjatë në sezonet e kaluara. Marie Hasa, 18 vjeç nga Peshkopia vuan nga skolioza dhë kërkon dëshpërimisht ndihmë pasi vuante çdo moment. Që në moshën 8 vjeçare Maries i është shfaqur sëmundja, prindërit menduan se do të kalonte por nuk kaloi, ajo vazhdonte të përkeqësohej.

18-vjeçarja ka përdorur korsenë dy vjet por nuk pati asnjë përmirësim të dukshëm. E vetmja zgjidhje që i mbetur është operacioni. Nga Peshkopia stafi i emisionit udhëtoi në Mitrovicë. Këtu dy vëllezër njëri 23 dhe tjetri 18 vjeç vuajnë nga e njëjta sëmundje që ua vështirëson jetën çdo moment. Besnik Haxha është 23 vjeç, studion për inxhinieri dhe teknologji ushqimore. Jeta e tij nuk është aspak normale si e moshatarëve. Kurrizi i tij është i deformuar frikshëm nga skolioza. Edhe vëllai i Besnikut, Lendriti vuan nga deformimi i shtyllës kurrizore. Fati është treguar mizor me dy vëllezërit pasi vuajnë nga e njëjta sëmundje. Ëndrra e Lendritit është të bëhet një oficer policie por kjo mbetet një ëndërr në sirtar pasi askush thotë 18-vjeçari nuk do pranonte një polic me t probleme fizike.

Dy operacionet e vëllezërve kushtonin në total 50.000 euro pra 25.000 euro secili. Paratë u siguruan për Marien dhe dy vëllezërit. Maria dhe mamaja e saj erdhën nga Dibra në spitalin “Continental” ku kryen tamponin pasi u duhet për të udhëtuar drejt Turqisë ku 18 vjeçarja do të operohet. Nënë e bijë të tensionuara pasi nuk duan ta humbasin për asnjë arsye këtë udhëtim. Përgjigjet e tamponit dolën negative. Asnjëra prej tyre nuk është e infektuar me Covid-19. Ora shënon 2 pas mesnate. Për pak avioni niset për Stamboll. Për Marien është hera a parë që hipën në avion dhe ka pak frikë. Me të mbërritur me avion në aeroportin ndërkombëtar Sabiha Gokcen nuk kishte zbardhur dita. Maria dhe e ëma të shoqëruar nga gazetari i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Ferit Lika u nisën menjëherë për në spitalin “Liv Hospital” në Istinye. Makina e dërguar nga spitali ka kohë që priste në aeroport për pacienten nga Tirana. Spitali ku do operohet Maria është i madh dhe me kushte moderne. Por këtu janë edhe dy pacientë të tjerë që na presin. Janë vëllezërit nga Kosova të cilët vuajnë nga e njëjta sëmundje si Maria, skolioza. Maria u përshëndet me vëllezërit, me të cilin ndajnë të njëjtin fat. Besniku dhe Lendriti kanë një javë që kanë ardhur në këtë spital. Ata kanë kryer një operacion dhe presin të dytin. “Kam bërë një operacion të parë, tani do kaloj në operacionin e dytë” thotë djali.

Prindërit e dy vëllezërve nga Mitrovica Naimi dhe Indira ndihen të qetë dhe sigurt. “Jemi më të qetë tani” thotë babai i tyre. Besniku, vëllai i madh, pret me padurim të futet në operacionin final, nuk ka aspak frikë, ai dëshiron të bëhet sa më shpejt si të gjithë të tjerët. “JO frikë nuk kam, është kryesori për mua, erdhi kjo ditë me ndihmën e shqiptareve të bëhem njeri i drejtë si të tjerët” thotë Besniku. Ndërsa Lendriti, po shpreson që vuajtjet e tij të marrin fund këtu njëherë e përgjithmonë, të kthehet në Kosovë të rifillojë jetën normale dhe të ndjekë ëndrrat e tij. “Dua të kthehem në Kosovë të bëhem kuzhinier”. Nga ana tjetër Maria tashmë është shtruar në spital, sot duhet të kryejë një sërë analizash dhe kontrollesh mjekësore. Ajo dhe mamaja e saj Dija, duken entuziaste dhe të lumtura, që më në fund ia arritën kësaj dite. “Jam shumë e lumtur që kam ardhur për kurim, ja dola mezi po e prisja, po mendoja ditë e natë për këtë ditë” thotë Maria. Nesër është dita e madhe. Ndoshta dita më e vështirë për Marien, por ajo preferon ta quaj si ditën më të lumtur. “Jam e qetë jam e lumtur, do ja dal”,-thotë Maria.

 

https://www.youtube.com/watch?v=g2niasJWQN0

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb