Një ndër njerëzit në listë dhe që sipas tij “i kishte ardhur radha”, ishte Ismail Kadare. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi.

Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

“I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, Qemal Lame i tregon në librin e tij “Dritëhijet e kohës:

Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”. Më poshtë, takimi me Enver Hoxhën dhe dilemat e kryehetuesit.

Transmetimi i urdhrave dhe porosive të Enverit te Sigurimi e Policia, bëhej nëpërmjet sekretarit të Komitetit Qendror te ministri, Kadri Hazbiu e më pas Feçor Shehu, Hekuran Isai.

Ministri i Brendshëm kishte në vartësi direkte Sigurimin e Shtetit. Transmetimi i urdhrave te kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm bëhej nga ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, e më pas nga Feçor Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani. Enveri kishte në metodën e tij të punës në dhënien e urdhrave, pasi njihej me ngjarjet e rëndësishme, vlerësonte dokumentet dhe interesohej direkt te personat më të besuar për marrjen e mendimeve të tyre personale.

Merrte mendime nga disa persona. Marrja e mendimeve nga çdo person kërkohej të mbetej e fshehtë. Asnjeri nuk kishte të drejtë të bisedonte e të vinte në dijeni persona të tjerë për urdhrat, porositë apo mendimet, shënimet me shkrim ose raportet e dërguara ose të diskutuara me Enverin. Në përfundim, ai diskutonte e analizonte në rreth të ngushtë dhe vendoste përfundimisht.

Kur vendoste, nuk donte diskutime apo ide të tjera. Kërkonte dhe priste sa më shpejt që të ishte e mundur vetëm zbatimin e urdhrit. Në këtë rast, për hetimin e komplotit dhe të dhënat hetimore e agjenturore, Enveri ndiqte çdo ditë hetimet nga raportimet e Ramizit. Në disa raste, edhe të Ramizit bashkë me Hekuranin.qemal lame ramiz alia kadare

Hekurani vinte në dijeni Ramizin çdo pasdite, në Vilën 29, (cilësohej si Shtëpia e Partisë), në takimet në orën 18:00. Enveri kishte njohur dokumentet dhe kishte biseduar me Ramizin dhe Hekuranin më parë se të bisedonte në telefon me mua për Ismail Kadarenë. Mendimi im kërkohej të ishte profesional mbi zbatimin e kërkesave ligjore në dokumentet për arrestimin.

Unë vetë duhet të kisha të qartë mendimet e përfundimet e secilit dhe ato të arritura bashkërisht nga Enveri, Ramizi e Hekurani.

Dokumentet për arrestimin e Ismail Kadaresë

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurës Fiqiret Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Skënder Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Bashkim Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Nesti Nase

HEZITIMET E KRYEHETUESIT PËR TË ARRESTUAR ISMAIL KADARENË

Urdhri i Enverit ishte i qartë, detyrues dhe i padiskutueshëm. Problem i madh ligjor ishte bindja ime se urdhri nuk bazohej në prova ligjore, të besueshme për origjinalitetin e objektivitetin e të dhënave dhe fakteve të fiksuara në dokumentet e Hetuesisë e të Sigurimit të Shtetit, si dhe nuk krijonte bindje për drejtësinë e zbatimit të masës së rëndë, të arrestimit të shkrimtarit Ismail Kadare.kadare-2

Urdhri i prerë i komandantit për arrestimin e Ismail Kadaresë, më tronditi thellë. U vura konkretisht para përgjegjësisë profesionale e ligjore, si dhe asaj disiplinore e morale si ushtarak.

Vihesha në provë si kuadër i lartë shtetëror për besnikërinë, korrektësinë në zbatimin e urdhrave e porosive, aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësi dhe karrierën e pasojat në të ardhmen.

Realizimi i kësaj detyre ishte përgjegjësi e madhe personale në respektimin e zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve, si dhe të pasojave për shtetin, shoqërinë, deri edhe vetë shkrimtarin e familjen e tij.

Marrja e një vendimi të drejtë nga ana ime kushtëzohej nga faktorët subjektivë që vareshin nga ndërgjegjja në zbatimin e detyrave dhe nga faktorët objektivë që kushtëzoheshin nga parimet kushtetuese, ligjore, ushtarake e administrative. Ismail Kadarenë nuk e njihja dhe nuk kisha treguar interesim për ta njohur. Kjo ishte një bazë e mirë që më lehtësonte edhe nga sentimentalizmat e vetëkuptueshme, kur një person e njeh nga afër dhe vihesh para përgjegjësisë së detyrës për të marrë një vendim arresti. Në ndërgjegje isha i qetë, për arsye se në formimin tim dhe në veprimtarinë shtetërore nuk ndikonte sentimentalizmi.

Problemet i analizoja me objektivitet e përgjegjësi personale e ndërgjegje juridike të lirë e pa u ndikuar. Nuk ndikohem nga njohja, shoqëria, miqësia, familja, të afërmit etj. Marrjen e vendimeve procedurale e bazoja në kriteret ligjore, fajësinë e bazuar në ligj e në dokumente, dobinë për hetimin, dërgimin për gjykim të çështjeve të hetuara me objektivitet, në gjerësi e thellësi që të garantohej, po ashtu, gjykimi objektiv dhe dënimi i drejtë e i merituar sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Për çdo vendim që merrja bazohesha në respektimin dhe zbatimin me përpikëri të ligjit, në mbrojtjen e lirisë e të drejtave kushtetuese të personave të dyshuar, si dhe në ndikimin në opinionin shoqëror të masave të represionit shtetëror. Mendimet i deklaroja me sinqeritet. Vendimet i formuloja dhe i argumentoja të bazuara në prova dhe në kriteret ligjore dhe pa ndikime subjektive.

Për këto arsye, isha i qetë në thellësi të ndërgjegjes, nga ana subjektive, pasi nuk ndikohesha nga ndjenja sentimentale: Së pari, nga detyra delikate dhe me shumë përgjegjësi kushtetuese, ligjore, procedurale e morale që kisha; Së dyti, nga bindja e ndërgjegjshme profesionale e morale në respektimin e zbatimin me përpikëri të Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale e të ligjeve në tërësi; Së treti, nga bindja ime e brendshme e bazuar në ndërgjegjen juridike.

Për vetë karakterin, edukimin e formimin juridik, për mua ishte vendimtar parimi për bindjen e ndërgjegjshme juridike në marrjen e vendimeve duke u bazuar në provat ligjore, realitetin objektiv dhe mendimin e formuar natyrshëm, për të vepruar me përgjegjësi e përkushtim, në zbatimin e vendimeve që merrja me vullnetin tim të lirë. Nuk veproja nën imponim. Kjo dihej mirë nga hetuesit, prokurorët e gjyqtarët, me të cilët punoja.

Me këtë cilësim njihesha edhe nga udhëheqja politike e kohës. Së katërti, në respektimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve. Ky ishte detyrim kushtetues, por edhe një përgjegjësi e madhe profesionale, ligjore e morale në kushtet kur në sistemin e organeve të drejtësisë në Shqipëri, në dallim nga organizimi i shteteve të tjera të cilësuara borgjeze e revizioniste, ishte hequr dhe nuk ekzistonte instituti i avokatisë për mbrojtjen ligjore të personave të dyshuar, të marrë në përgjegjësi penale, të gjykuar e të dënuar. Ndërgjegjja ime juridike si drejtues i Hetuesisë, por edhe si intelektual e qytetar, tensionohej për shkak se nuk njihja në detaje gjendjen e hetimeve, objektivitetin e deklarimeve të të pandehurve e dëshmitarëve etj.

Fakti që hetimet bëheshin nga hetues të përzgjedhur me njohjen e interesimin direkt nga Ramizi e Hekurani dhe miratuar nga Enveri vetë, si dhe me vartësi të drejtpërdrejtë nga ministri, nuk më kishin lënë mundësi për të njohur drejtpërdrejt realitetin e zhvillimit të hetimeve dhe për të krijuar në mënyrë të ndërgjegjshme sigurinë dhe bindjen për objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve konkrete hetimore, pyetjen e të pandehurve e dëshmitarëve dhe dokumentimin me korrektësi e objektivitet të thënieve të tyre.qemal lame

Nga bisedat me ministrin e Brendshëm, Hekuranin, kuptohej, dhe në disa raste thuhej hapur, se ushtrohej dhunë për marrjen e pohimeve dhe pranimin e akuzave për komplotin. Ministri dhe hetuesit mburreshin për thyerjen e të pandehurve dhe marrjen e pohimeve. Kënaqeshin kur thoshin se Fiqreti me dy djemtë, si dhe Nesti Nase e Llambi Ziçishti, ishin bashkëpunues dhe ndihmonin për vërtetimin e fajësisë së Kadri Hazbiut, Feçor Shehut etj. Nga ana objektive, marrja e vendimit me ndërgjegje kërkohej të bazohej në realitetin e hetimeve dhe parimet e ligjshmërisë për fajësinë e personit.

Marrja e vendimit përfundimtar më impononte përgjegjësinë personale, motivimin, përkushtimin e korrektësinë: Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, që të respektoheshin me përpikëri, të harmonizoheshin dhe të ligjëronin bazueshmërinë ligjore të hartimit e të argumentimit të vendimit procedural të arrestit; Provat e administruara në dosjen hetimore të ishin në përmbajtje të sakta, me të dhëna objektive, me pohime të lira nga të pandehurit e dëshmitarët, si dhe të harmonizuara, të lidhura dhe bindëse në faktet, rrethanat dhe përmbajtjen e dokumenteve me rëndësi ligjore e procedurale. Këto kërkesa themelore më imponuan natyrshëm domosdoshmërinë e një analize të thellë ligjore, politike e shoqërore, si dhe morale për besimin dhe rolin që kërkohej të dëshmoja në mbështetje të udhëheqësit. Urdhri ultimativ nuk linte asnjë mundësi për të dhënë ndonjë mendim. Kërkohej përgatitja e dokumenteve dhe arrestimi.

Në analizën përfundimtare nuk isha i bindur për të argumentuar dhe hartuar vendimin e arrestimit. Dilema me bindjen e ndërgjegjshme, pasojat për të ardhmen dhe tragjedia e viktimizimit të cilitdo që kishte guxuar të thoshte qoftë edhe me nënkuptim ndonjë mendim ndryshe, më detyronin të mendohesha, të përfytyroja e të analizoja intensivisht qëndrimin përfundimtar. Vendosa të ruaj qëndrimin e njohur për zbatimin e ligjit dhe me ndërgjegje të rrezikoj për të dhënë mendim për rishikimin e masës së arrestimit.

Ky vendim ishte njëlloj si të viheshe vetë para gjykimit përfundimtar, të zgjidhje të jetoje apo të viktimizoheshe me ndërgjegje dhe me dëshirën tënde. Ishte e qartë se komandanti jepte urdhër, urdhri ishte ligj, mbetej vetëm zbatimi, nuk kishte asnjë hapësirë për diskutime. Zgjodha të veproja në bazë të bindjes sime dhe të ballafaqohesha me rrezikun real potencial. Me këtë bindje, vendosa të parashtroj mendimet e mia mbi bazën e përfundimeve të argumentuara në studimin e kriminalitetit për krimet politike, situatën politike dhe pasojat nga goditja e komplotit dhe zgjerimi i bashkëpunëtorëve./Panorama

(vijon)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb