TIRANË

Në Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, Prokuroria e Tiranës ka organizuar një tryezë me temë “Bashkë kundër dhunës” ku merrnin pjesë prokurorë, gazetarë e përfaqësues të organizatave të huaja.

Në aktivitet erdhi dhe rrëfimi i gazetares së njohur Rudina Xhunga për një rast përndjekje të pësuar nga vetë ajo në vitin 2003.

Në përgjigje të saj, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj tha se Prokuroria nuk është më si në vitin 2003 por se është përmirësuar dhe se ka ndryshuar trajtimi për të tilla raste.

“Që nga 2003 Prokuroria ka ardhur duke u përmirësuar, jemi në 2019, kështu që nuk është më i njëjti trajtim. Këta prokurorë në mënyrë të përditshme kryejnë veprime hetimore dhe kanë përballë një grua të dhunuar por pas këtij episodi dhe pas këtyre veprimeve ka diçka më shumë.

Për këtë arsye ligji parashikon në mënyrë të detajuar të drejtat e viktimës dhe për këtë arsye janë krijuar në mënyrë të posaçme brenda prokurorisë dhe organizma si koordinatori për mbrojtjen e të drejtave të viktimës dhe për këtë arsye ligji ka në mënyrë kaq të detajuar të njohura këto të drejta. Ajo çka ne duhet të bëjmë është që jo thjesht t’i lexojmë, t’i kuptojmë por edhe t’i zbatojmë”, deklaroi Imeraj.

Ajo theksoi se nisma të tilla, që lidhen me të qenit të gjithë bashkë për të diskutuar janë të rëndësishme për të ditur se ku jemi, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë është e rëndësishme. Imeraj deklaroi se dhuna ndaj gruas është një problematikë e madhe e shoqërisë sonë.

“Normalisht që shoqëria shqiptare në ditët e sotme ka problematika të ndryshme dhe ne shohim kaq shumë të flitet për korrupsionin e të tjera me radhë por ajo çfarë duhet të kuptojmë është se njerëzit jetojnë dhe kanë problematika të përditshme që shkojnë përtej atyre diskutimeve galopante që lidhen me korrupsionin dhe që problematikat e tyre janë po kaq të rëndësishme sa ata njerëz guxojnë, dalin dhe përfliten çdo ditë nëpër televizion e mbushin faqet e gazetave. Një problematikë kaq e madhe e shoqërisë sonë ngelet dhe dhuna ndaj gruas”, u shpreh Imeraj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb