“Do t’iu mbroj deri në ditën e fundit të jetës suaj në konferencat për shtyp, por këtu do t’iu them të vërtetën”. Kështu nis Pep Guardiola i zemëruar një nga fjalimet e tij në dhomën e zhveshjes së Mançester Sitit. “Disa nga ju luajnë më mirë kur janë të zemëruar me mua, kështu që nëse më urreni, atëherë më urreni djema! S’ka asnjë problem”, u ulërit ai lojtarëve, përfshirë Serxho Agueron dhe Rahim Sterlingun, të cilët vështrojnë të sikletosur, ndërsa trajneri i tyre shfryn dufin e tij.

Këto janë skenat e para të jashtëzakonshme që zbulon trajleri i dokumentarit të ri të “Amazon”, i titulluar “Gjithçka ose Asgjë”, i cili zbulon një pjesë të prapaskenave që ndodhin brenda dyerve të sezonit historik të Mançester Sitit kampion në Angli gjatë 2017/18. Gjigantët mediatikë kanë publikuar përmbledhjen e dokumentarit “All or Nothing”, i cili ofron një këndvështrim unik të një prej fitoreve më dramatike të titullit të të gjitha kohërave në Premier Ligë. Siti preku lavdinë sezonin e shkuar, duke shkatërruar gjatë këtij rrugëtimi rekordet e pikëve të grumbulluara dhe të golave të shënuar. Por, dokumentari zbulon edhe sakrificat dhe përplasjet verbale për të prekur suksesin.

Dokumentari ka arritur të fiksojë edhe momente intime dhe të pafiltruara me lojtarët që duken qartazi të prekur dhe zemëruar, ndërsa trajneri i tyre i gjykon për paraqitjen në fushë. Në klipin e parë provokues, Guardiola u kërkon lojtarëve të tij që të performojnë në një nivel më të lartë kur ata janë të zemëruar me të, kështu që ai i nxit ata që ta “urrejnë” për të luajtur më mirë. Trajneri spanjoll filmohet më pas në dhomën e zhveshjes, teksa u mban një fjalim pasionant se për t’u bërë skuadra më e mirë, ata duhet të mësojnë që të luajnë futboll, duke sakrifikuar. Streset dhe pasojat e humbjes janë një tjetër aspekt që tregon filmi, veçanërisht kur Siti u eliminua nga skuadra e Ligës së Parë, Uigani, në raundin e pestë të Kupës FA. Mesfushori Fabian Delf shfaqet duke e shfryrë gjithë tërbimin e tij në mbylljen me forcë të derës së dhomës së zhveshjes së “DW Stadium”, ndërsa mbrojtësi Xhon Stons flak fanellën e tij në tokë.

Por, skuadra është si një familje dhe ka brenda saj edhe momentet e argëtimit, siç është ai kur Stons, Uoker dhe Kompani këndojnë himnin e Oasis, “Wonderall”, ndërsa festojnë një fitore gjatë fluturimit në shtëpi. Këto ishin vetëm 30 sekonda flesh të asaj që do të shohim në dokumentarin që do të transmetohet të premten e 17 gushtit dhe ku do të kemi një tablo më të qartë se si funksionojnë mekanizmat e një prej skuadrave më të forta të botës. “Amazon” ka paguar 10 milionë paund për këtë kontratë të firmosur në nëntor 2017. Dokumentari do të transmetohet në 200 vende të ndryshme të botës.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/me-urreni-keshtu-luani-me-mire-ja-si-i-motivon-pep-lojtaret/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: