SHKODËR

Sekuestrohen 17 kilogramë cannabis sativa, vihen në pranga 3 të rinj që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Malit të Zi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me specialistet për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas po transportonin me automjet, një sasi lënde narkotike, në drejtim të PKK Hani i Hotit, me qëllim trafikimin e saj, drejt Malit të Zi, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grizhë”.

Në kuadër të këtij operacioni, në aksin rrugor Koplik – Hani i Hotit, në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi K. G.

Gjatë kontrollit në automjet, në një valixhe, Policia gjeti 16 pako të mbushura me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një qese plastmasi të mbushur po me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 17 kilogramë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe tre aparate celuluare.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Klevis Gurraj, 20 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (drejtuesi i automjetit);

Jozef Kaçaj, 19 vjeç, banues në fshatin Alijaj, Malësi e Madhe (pasagjer);

Enes Osmani, 22 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër (pasagjer).

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb