Deputeti Myslym Murrizi nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se në kurriz të shqiptarëve po luhet një lojë jo e pastër.

Ai tha se figurat e LSI-së që kanë kaluar sëfundmi tek PS, janë pjesë e një marrëveshje të madhe mes dy tufa hajdutësh, të palaçove të politikës në kurriz të shqiptarëve.

“Ishte gallatë estrada e 4 viteve të fundit, ku gjoja pamë një betejë 3D mes PS dhe LSI, fushatë me autobus ku kërkohej vetëm timoni e tepsia pavarësisht se LSI i kishte lidhur duart qeverisë. Këto ditë po shohim një merkato dimri të lezeçme të ish-ministrave të LSI që po ftohen një e nga një në sofrën e partisë së virgjër me të cilën qeverisën njëherë pas marrëveshjes së qelbur të 1 prillit.

Duke e parë këtë si njeri që kam qënë 30 vite në politike, kam qënë në politike dhe unë po s’kam përfituar asnjë lekë, asnjë koncension, po e shikoj se si po bëhet beteja false dhe hipokrite 3D. Lefteri ka kohë që është me ju, Nasipin e ftuat në dasmë me video 3D, Silvën e ka ftuar Ervini sot, ka ngel pa punë veç Pec Vasili, një Mond e siguruat në Presidencë, një tjetër thuhet se do ikë sërish. Kjo është një marrëveshje e madhe mes dy tufa hajdutësh, të palaçove të politikës në kurriz të shqiptarëve.

Cili ministër ka ngel pa ftuar nga aleanca juaj e 4 viteve më parë? Cili ka ngelur pa ftuar në partinë tuaj të virgjër? 30 vite e njëjta estradë, të njëjtët aktorë, të njëjtët grykës. Besoj se edhe deputetë të nderuar të PS që s’kanë gisht në afera, që kanë ardhur këtu me dinjitet, ndjehen të kërcënuar nga lukunia e hajdutëve të shpallur nga këta këtu në 2017. Më vjen për të vjellë kur kujtoj se çfarë keni thënë për këta ministra që sot i fusni ca me kokë e ca me të ndenjura në partinë tuaj”,- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: