*Berisha: Ligjin e amendoi Rama, mos të fshihet pas Mimit

TIRANË- Dekorimet e ish-agjentëve të sigurimit dhe hetuesve kanë përplasur sërish qeverinë me opozitën në parlament. Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka kërkoi që të miratohet rezolutë për heqjen e dekoratave. “Të përgatitet një rezolutë dhe të miratohet sot”, tha Paloka. Por kryeminsitri Edi Rama dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli theksuan se kjo nisme e PD nuk qendron pasi tashmë qeveria ka ndërmarre vendim për ti terhequr medaljet e dhëna.

Ministrja e Mbrojtjes e cila përfaqëson institucionin që ka dhënë këto dekorata tha se tashmë ka nisur puna për tërheqjen e atyre medaljeve të dhëna padrejtësisht. Sipas saj kjo punë ka filluar përmes ndjesës. Por deklaratat e saj kanë nxitur reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët njëherazi janë çuar nga vendi, duke i ndërprerë fjalën dhe kanë kërkuar sërish tërheqjen e dekoratave.

Kodheli: Deputetë të opozitës jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim si shkak i një VKM-je lidhur me këtë listë famëkeqe të veteranëve të kategorisë A. Ne e kemi filluar punën për daljen nga ky qorrsokak, për tërheqjen e atyre medaljeve të dhëna padrejtësisht, për shkak të vendimeve të marra 20 vjet më parë. Por do ta vazhdojmë këtë gjë. Ne nuk mund të kemi në kurriz një faj të një natyre që nuk na takon sepse nuk jemi ne gjeneruesit. E kemi filluar këtë punë, edhe përmes ndjesës…

Ndërhyn Topalli: Lëre ndjesën. Këta nuk dinë as çfarë është ndjesa).

Kodheli: I kanë dhënë këtyre xhelatëve por edhe shumë të tjerëve një status të caktuar që i bënte të përfitonin pensione të veçanta që i përfitojnë edhe sot.

Berisha: Ligji e ndalon dekorimin

Kodheli: I keni dhënë status të veçantë

Topalli: O zonjë ligji është ligj, i keni dhënë dekoratat.

Kodheli: Ne e kemi filluar punën dhe kemi çuar në kryeministri propozimin për ndryshimin e VKM-së.

Meta: Zoti Berisha mos harro që kemi seancë shumë të rëndësishme, do të vazhdojmë amendamentet kushtetuese për ligjin për dekriminalizmin.

Meta: Hartojeni këtë projektrezolutë dhe ta paraqesim të hënën. Nuk kemi arsye pse ta ndërpresim seancën.

Berisha: Ish kryeministri Sali Berisha tha se prapa dekorimit të xhelatëve fshihet Edi Rama. Berisha shtoi se ishte ai që çoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e 2008 për përjashtimin nga funksionet publike të xhelatëve e dikaturës komuniste.

“Së pari këtu duhet të ishte njeriu që dekori xhelatët, duhet të ishte nipi i Spiro Kolekës që çoi në varr mijëra të rinj që u shkolluan në perëndim, dajo i këtij që ju drejton juve sot. Të vijë këtu Edvin Kristaq Rama se i ati i tij në gusht të vitit ‘88 ka firmosur varjen e sheshin e Kukësit të poetit Havzi Nela. Të vijë këtu njeriu, i cili sapo u bë kryeministër, kremtoi 70 vjetorin e Çlirimit me fotot e Enverit. Ligji i ‘94 ndalon dhënien status të kriminelëve të luftës së klasave.. Të mos fshihet prapa Mimit, njeriu që hoqi klauzolën që ndalonte dekorimin e kriminelëve të genocidit dhe luftës së klasave. Ai është personifikimi që çoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin që bëmë ne në 2008 për përjashtimin nga funksionet publike të xhelatëve e diktaturës komuniste”,- tha ai.

Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, ai shtoi se: “Me xhelatët ju lidh Edi Rama, a e keni konstatuar se revolta, urrejtja është për të, i dridh shpirtin e leqet e këmbëve, nuk ka gjë tjetër që për tre ditë thotë, veçse Basha, e Berisha. Kërkoj të miratojmë rezolutën, e më pas hapin e dytë lustracionin, të dënojmë çdo përpjekje për të rikthyer kohën e zezë. Flakët e bunkerit janë për ty, provokator”.

Rama
Pas Kodhelit edhe Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës mbi dekorimin me medalje të disa personazheve që janë akuzuar për krime gjatë kohës së diktaturës. Rama u shpreh se ka kërkuar falje mbi dekorimin që i bëri ekzekutorit të At Zef Pllumbit, por ndërkohë akuzoi Berishën se ka qenë ai që e ka futur që në vitin 2005, emrin në listën e personaliteteve që duhet të nderohen. Kryeministri u shpreh se është marrë vendimi për të tërhqeur të gjitha medaljet që u dhanë por dhe që kjo situatë të mos përsëritet më për brezat që do të vijnë më pas.
“E sa për të mbërritur tek medalja jeni shumë vonë sepse ne e kemi marrë ndërkohë dhe vendimin edhe të gjithë punën e nevojshme jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Saliut me vendimet e Saliut, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pas nesh në të njëjtin qorrsokak. Unë kërkova ndjesë për të njëjtin faj që nuk e bëmë ne, por u takonte për shkak të detyrës ka kërkuar një ndjesë që duhet ta kishte kërkuar cdo vit, fajtori i vërtetë dhe kryefalsifikatorit në këto 25 vjet, në këto 25 vjet, sepse torturuesin e Padër Zefit dhe Sami Repishtit e futi Sali Berisha e futi në vitin 1995, dhe jo vetëm torturuesin por dhe Aranit Celën dhe Nexhmije Hoxhën që kanë gëzuar pensione të veçanta nga dora e vetë Sali Berishës dhe kjo është një e vërtetë e hidhur”, u shpreh Rama në fjalën e tij në Parlament.

(m.k/ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb