SHBA- Media amerikane njofton se piratët rusë të internetit kanë bërë një përpjekje pa sukses për të ndërhyrë në kompjuterat e senatores së shtetit Mizuri Claire McCaskill, një demokrate me më pak shanse në garat zgjedhore të këtij viti. Përpjekjet për piraterimin e kompjuterave të saj ndodhën rreth gushtit 2017.

McCaskill tha mbrëmë në një deklaratë se megjithëse ky sulm nuk ishte i suksesshëm, është skandaloz fakti që ata mendojnë se mund ta kalojnë këtë pa u ndëshkuar.

Senatorja tha: “Unë nuk do të frikësohem, e kam thënë më parë dhe do ta them përsëri, që Putini është një bandit dhe një tiran”.

Sipas portalit The Daily Beast, senatorja McCaskill është objektivi i parë i njohur i komplotit të Kremlinit për të ndërhyrë në zgjedhjet e mesmandatit që zhvillohen në nëntor, pas ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

McCaskill është kritike e ashpër e Rusisë dhe e Presidentit Trump, i cili herë pas here ka shprehur dyshime për ekzistencën e një ndërhyrjeje ruse dhe ka kritikuar hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller si një “gjueti shtrigash”.

The Daily Beast njofton se sulmi kibernetik kundër senatores ishte i ngjashëm me atë të ndërmarrë nga hakerat e grupit rus “Fancy Bear” për të hyrë në emailet e John Podestës, kreu i fushatës së ish-kandidates demokrate për presidente Hillary Clinton.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb