TIRANE- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar në media se një anije është nisur nga porti i Durrësit dhe është ndaluar në Greqi, ndërsa dyshohet se transportonte armë. Sipas MM-së, ky lajm i publikuar në mediat greke është tërësisht fals.

“Megjithëse mediat opozitare nxitojnë të përplasin në faqe të parë çdo lajm abuziv, pa verifikuar as lajmin as burimin, megjithëse lajmi i një gazete greke për një anije të nisur nga Durrësi që transportonte armë dhe kapur në një port grek rezulton tërësisht fals, e megjithëse Ministria e Mbrojtjes nuk ka aspak të bëjë me këtë ngjarje, me qëllim shfrytëzimin e çdo momenti për bërjen transparente të procedurave që Ministria e Mbrojtjes ndjek, informojmë opinionin publik si më poshtë: Ministria e Mbrojtjes prej shtatorit 2013 e deri më sot ka shitur stoqe të dala jashtë strukturave të Forcave të Armatosura, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, konform të gjithë legjislacionit ndërkombëtar dhe atij të Republikës së Shqipërisë, vetëm në vende anëtare të NATO-s.”, citohet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndër të tjera Ministria ka pohuar se kushdo që ka kuriozitet mund t’i drejtohet AKSHE, Doganës Shqiptare dhe gjithë doganave ku mallrat kanë kaluar tranzit.

“Transporti është bërë vetëm me rrugë tokësore, duke u deklaruar që në Doganën Shqiptare, në të gjitha vendet tranzit, e deri në doganën e destinacionit final, anëtar i NATO-s. Kush ka kuriozitet mund t’i drejtohet AKSHE, Doganës Shqiptare dhe gjithë doganave ku mallrat kanë kaluar tranzit ose kanë përfunduar si destinacion final. Ministria e Mbrojtjes dëshiron të informojë dhe sigurojë opinionin publik se nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) nuk është dhënë asnjë leje apo licencë eksporti-importi, tranziti apo ndërmjetësuesi (broker), për asnjë anije, peshkarexhë, traget apo çfarëdolloj mjeti lundrimi tjetër.”, përfundon reagimi i ministrisë.

Sipas Antenna.gr, anija me flamur të Sierra Leones, e nisur nga Shqipëria është ndaluar në Greqi pas dyshimeve se në të fshihen armë. Mediat greke bënë të ditur se anija shqiptare kishte çimento të cilën do ta çonte në Libi. Anija u ndalua në portin Katakolo, ku edhe do të kontrollohet. Anija është nisur nga porti i Durrësit me 2700 ton çimento, të cilën do ta çojë në Libi. Mësohet se ishin autoritetet franceze ato të cilat informuan homologët e tyre grekë për dyshimet se në anije ka armë, ndërsa nuk hidhen poshtë dhe dyshimet se ka pasur drogë. Deri tani policia greke nuk ka dhënë informacion nëse në anije ka pasur ngarkesë droge dhe armësh siç edhe pretendohej.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: