RUBIK – Ndërsa policia greke vijon kërkimet për 34-vjeçarin shqiptar Klodjan Lesi, pasi vrau me thikë bashkëshorten e tij greke, mediat e shtetit fqinj kanë “zbarkuar” në vendin e tij të lindjes, në Rubik, ku kanë takuar të afërmit dhe shokët e Klodjanit.

Gazetarët e emisionit “Tatiana Live” kontaktuan me nënën e Klodjanit, e cila i bën thirrje të birit që të dorëzohet në polici dhe të mos e torturojë më tepër djalin e vogël.

“Nuk e dimë se ku ndodhet. Nuk kemi folur me të që prej Pashkëve kur ishte këtu. Kjo që ndodhi është e tmerrshme. E dinim që jetonte me një greke por nuk i kemi thënë gjë se ai ka jetën e tij. I bëj thirrje që të dorëzohet në Polici menjëherë dhe të mos e torturojë djalin e vogël”, – shprehet nëna.
Ndërkohë shokët e Klodit pohuan për gazetarët grekë se ai u kishte telefonuar pas krimit, për të kërkuar ndihmë, në mënyrë që të fshihej në Shqipëri.

“Më telefonoi dhe ishte mjaft i shqetësuar. Më tha se kishte nevojë për ndihmë, por nuk më tha se çfarë kishte ndodhur. Kërkoi që të vinte në Shqipëri”, – thotë një nga miqtë e Klodi Lesit, i cili thekson se ai ka qenë njeri i qetë dhe aspak i dhunshëm.

Një tjetër shok tregon se Klodi Lesi e kishte kontaktuar dy herë pas krimit dhe i kërkonte ndihmë edhe atij që të vinte në Shqipëri.

Klodi (James) Lesi e ka goditur 7 herë me thikë bashkëshorten e tij greke, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Krimi makabër ndodhi në kuzhinën e banesës së çiftit. Pas vrasjes së gruas, Lesi rrëmbeu djalin e mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Sipas fqinjëve, shqiptari kishte kohë që ishte i papunë dhe ndonjëherë kryente punë sezonale në vendet turistike. Policia greke është vënë nën alarm, pasi nuk dihet ende fati i djalit të mitur.


(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: