KUMANOVE- Njëri nga pjesëtarët e Grupit të Armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka qenë pjesëmarrës në betejën e Kumanovës dhe që deklaron se ka arritur t’i ikë policisë maqedonase pas dorëzimit të grupit, ka folur ekskluzivisht për gazetën “Zëri”.

Arrestimet në Kumanovë Ai konfirmon se nga gjithë pjesëtarët e këtij grupi, tre prej tyre: Xhafer Zymberi – “Xhafa”, Mirasad Ndrecaj – “Nato” dhe Muhamet Krasniqi – “Malisheva”, kanë qenë të plagosur dhe se ata janë kapur të gjallë nga policia maqedonase.

“Deri në momentin e dorëzimit të grupit, e di që tre prej tyre kanë qenë të plagosur: Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj dhe Muhamet Krasniqi, të cilët të gjallë janë kapur nga policia maqedonase. E di që ata tre të plagosurit kanë qenë të gjallë, e më pastaj çka ka ndodhur më ta nuk e di, sepse policia maqedonase ka bërë shpërndarjen e grupit”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Pak ditë më parë u raportua se Sulejman Osmani ishte pikërisht personi që ka treguar vendndodhjen e grupit të armatosur. Pas dorëzimit të tij bashkë me pjesëtarët e grupit, pasi ka treguar vendin e fshehtë të armëve, Osmani thotë se ka arritur t’u largohet policëve maqedonas nga fshati Brezë. Ministra e Brendshme e Maqedonisë gjatë ditës së sotme ka konfirmuar se në mesin e 14 të vrarëve janë edhe Mirsad Ndrecaj i njohur si komandant “Nato” si dhe Beg Rizaj i njohur si komandant “Begu”. Ndërsa për Xhafer Zymberin dhe Muhamet Kraniqin ende nuk ka informacione zyrtare nëse janë gjallë, apo u vranë të shtunën në Kumanovë, raporton “Zëri”.

Prokuroria: Janë 18 kosovarë të arrestuar
Prokuroria maqedonase ka konfirmuar për “Zëri” se numri i shtetasve të Kosovës të cilët janë arrestuar nga policia maqedonase si rezultat i konfliktit që ka ngjarë gjatë fundjavës në Kumanovë, është 18 persona. “Tetëmbëdhjetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar si rezultat i aktiviteteve kriminale në lagjen e Trimave në Kumanovë”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë. Pavarësisht raportimeve, prokuroria nuk jep detaje për numrin zyrtar të kosovarëve që janë vrarë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: