IZRAEL – Policia e Izraelit do të rekomandojë që Kryeministri Benjamin Netanyahu të akuzohet për korrupsion, raportojnë mediat vendase. Zyrtarë të policisë së Izraelit morën në pyetje kreun e qeverisë si pjesë të një hetimi mbi akuzat për korrupsion muajin e kaluar.

Në atë kohë Netanyahu tha: “Nuk do ndodhë asgjë, pasi asgjë nuk është e vërtetë”. Mediat e Izraelit raportojnë se policia shumë shpejt do të deklarojë se ka prova të mjaftueshme për të ngritur padi kundër Netanyahut për marrje ryshfeti në dy raste të ndryshme.

Njëri rast bazohet në pretendimet se Netanyahu i kërkoi botuesit të një gazete izraelite për raportime pozitive në këmbim të ndihmës kundër një botuesi rival.

Rasti i dytë bazohet në një deklaratë se Netanyahu, kryeministër i Izraelit që në vitin 2009, ka marrë më shumë se $100,000 në dhurata nga producenti izraelit i filmave në Hollywood, Arnon Milchan dhe mbështetës të tjerë.

Sakaq Netanyahu ka mohuar akuzat kundër tij. Vendimi përfundimtar nëse ai do të përballet me akuzat do merret nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Izraelit.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb