Kufiri midis Kanadasë dhe SHBA-së mund të mbetet i mbyllur deri në fund të qershorit.

Dy shtetet në mars u dakorduan që të mbyllin kufirin për udhëtimet jothelbësore kur pandemia e koronavirusit të ri goditi Amerikën e Veriut.

Në prill, ata zgjatën masat deri në maj për të frenuar më tej përhapjen e virusit.

Mediat lokale në Kanada njoftojnë se administrata e kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe presidentit amerikan Donald Trump po komunikojnë për të vazhduar kufizimet deri më 21 qershor.

“Ne do të jemi shumë, shumë të kujdesshëm në lidhje me rihapjen e çdo udhëtimi ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, përpara se të ndiejmë se është koha”, tha Trudeau para përfaqësuesve të mediave.

Nga ana e tij, Trump në prill tha se kufiri do të ishte një nga më të hershmit që do të rihapeshin pasi efekti i përhapjes së COVID-19 të jetë minimal.

SHBA është shteti më i goditur nga COVID-19 në botë, ku deri më tani janë regjistruar mbi 1,4 milion raste, ndërsa numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 83 mijë.

Në Kanada janë regjistruar mbi 72 mijë raste dhe rreth 5 300 vdekje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: