Pavarësisht 2 golave të bëra nga kuqezinjtë, maqedonasit nuk e kanë kapërdirë humbjen në “Loro Boriçi”. Mediat maqedonase shkruajnë me kritika ndaj ekipit të tyre por ka edhe nga ato që i vënë fajin për humbjen arbitrit turk.

E përditshmja maqedonase “Sport Media” është ajo që kryqëzon gjyqtarin, për të cilin aludon se ka preferenca raciste. “Maqedonia ndalet në Shkodër”, shkruan Sport Media, duke analizuar ndeshjen ku shkruan se gjyqtari ishte turk dhe se Maqedonisë iu mohua një penallti në fundin e ndeshjes.

“Telegrafi” maqedonas është më pragmatist në trajtimin e lajmit, duke mos drejtuar gishtin e akuzës. Si foto ilustruese është përdorur një moment nga fundi i ndeshjes ku Tramexani ngushëllon një prej lojtarëve të kombëtares maqedonase, Stefan Spirovski, një shqiptar-ortodoks nga Manastiri.

Edhe “Vecer” ka qenë në një linjë me Telegrafin duke mos fajësuar askënd për humbjen e Maqedonisë me Shqipërinë. Madje nxjerr në pah problematikat e ekipit për të cilin shkruan: “Kualifikuese të reja, por Maqedonia me probleme të vjetra”. Sipas “Vecer” niveli i ekipit linte për të dëshiruar ndaj dhe e kurorëzon artikullin me titullin “Maqedonia nuk mbahet dot për 15 minuta”.

Edhe “Nova Makedonia” është e thatë në trajtimin e lajmit. “Rezervisti Balaj i jep fitoren Shqipërisë”, shkruan ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb