“Serbët e Kosovës janë të shqetësuar, pas një rishfaqjeje të pjesëtarëve të Armatës Kombëtare Shqiptare, të armatosur deri në dhëmbë, të cilët kanë bërë thirrje për mobilizim të anëtarëve të saj, për të “mbrojtur interesat kombëtare”, shkruan sot Novosti i Beogradit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric, duke reaguar nga kësaj paraqitjeje të saj, i tha kësaj gazete se KFOR-i dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ofrojnë garanci se këso dukurish në, siç citohet të ketë thënë ai, krahinën tonë jugore nuk do të ndodhin.

“Do të bisedojmë me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, para së gjithash me përfaqësuesit e KFOR-it, meqë shfaqja e grupeve të tilla të armatosura është e palejueshme”, citon “Novosti” Gjuricin.

Pas disa muajsh, kur sipas mediave në gjuhën shqipe të Kosovës u shfaqën në segmentin e rrugës Prishtinë – Podujevë dhe Prishtinë – Mitrovicë, pjesëtarë të armatosur të Armatës Kombëtare Shqiptare janë tubuar para disa ditësh në rajonin e Mitrovicës, me ç’rast “komandanti” anonim i kësaj organizate ilegale ka akuzuar “strukturat paralele serbe” në Mitrovicë se po torturojnë shqiptarët dhe se nuk po i lejojnë të kthehen në shtëpitë e veta.

Serbët posaçërisht i ka shqetësuar deklarata e njërit nga “liderëve”, i cili ka thënë se pjesëtarët e AKSH-së janë të organizuar dhe të mirëstërvitur që “shumë shpejt edhe të mobilizohen”

“Komuniteti ndërkombëtar, që është përgjegjës për sigurinë në Kosovë, duhet me urgjencë të reagojë dhe të ndalë vringëllimat e tilla me armë dhe kërcënimet e shqiptarëve të armatosur. Prandaj i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, para së gjithash KFOR-it, që është përgjegjës për sigurinë në Kosovë e Metohi, që të mos i mbyll më sytë para kërcënimeve të hapura të shqiptarëve dhe të mos tolerojë armatosjen dhe organizimin e tyre me qëllim të shkaktimit të trazirave”, cition “Novosti” kryetarin e Mitrovicës veriore, Goran Rakicin.

Dhe ndërsa tërheq vërejtjen se rishfaqja e shqiptarëve të armatosur përbën dëshmi se në Kosovë vazhdon të ketë sasi të madhe armesh ilegale, Rakic përmend shqetësimin shtesë për shkak të thirrjes së pjesëtarëve të kësaj organizate ilegale për mobilizim, që mund të provokojë destabilitet dhe përshkallëzim të dhunës, shkruan kjo gazetë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: