MAQEDONI- Një aferë e madhe korruptive, e cila u trajtua nga Gjykata e New Yorkut, ka prekur rëndë drejtuesit më të lartë të partisë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Musa Xhaferi, njëherësh zëvendëskryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, akuzohen se kanë marrë 5 milionë euro nga “Magjar Telekom”, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.

Ish­-shefi i policisë sekrete të Maqedonisë dhe ish­këshilltari i Qeverisë, Sllobodan Bogoevski, në dëshminë e tij dhënë avokatit të Komisionit amerikan për letër me vlerë (SEC), lidhur me rastin “Magjar Telekom” dhe kompanisë së saj motër – “Telekomi i Maqedonisë”, në mënyrë të hollësishme i përshkruan të gjitha operacionet dhe aktivitetet në të cilat ka marrë pjesë edhe ndërmjetësuesi i tyre, i angazhuar ngabiznesmeni kontrovers grek, Dimitris Kondominas, transmeton
Koha.net.

Para gjykatës së New Yorkut, Bogoevski ka folur për miton e marrë nga partnerët shqiptarë të Qeverisë së vitit 2005-­2006 të drejtuar nga ish­kryeministri Vllado Buçkovski me qëllim të korruptimit të tyre. Kështu, në transkriptin e publikuar në 166 faqe, Bogoevski i përmend Buçkovskin dhe personat A.A. dhe M.Xh. se në më shumë raste, më ndërmjetësim të njerëzve të Kondominas, kanë marrë mito në vlerë prej 7.5 milionë euro (në kesh).

I pyetur nëse i njeh personat me inicialet A.A. dhe M.Xh., Bogoevski thotë se ata janë Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi dhe sipas tij paratë u janë dhënë për t’i korruptuar zyrtarët shqiptarë. Bogoevski thotë se partnerët shqiptarë të Qeverisë së atëhershme kanë kushtëzuar nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në mes të dy palëve, me pagesën e këstit të parë të shumës së marrëveshjes për ryshfet në vlerë 2.5 milionë euro, transmeton Koha.net. Bashkëpunëtorë të Buçkovskit dhe Kondominasit kanë udhëtuar për në Tetovë tek shtëpia e Abdilhalim Kasamit, shef i atëhershëm i financave në BDI, thotë Bogoevski, sipas të cilit aty kanë qenë edhe Ahmeti dhe Xhaferi. Atyre, siç dëshmon Bogoevski, paratë u janë dorëzuar në kesh.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb