TIRANE-Ministri i Financave, Shkëlqim Cani është në prag të shkarkimit, pas dyshimeve të forta për përfshirjen e tij në një skandal financiar. ABC News njoftoi një ditë më parë se, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ministri dyshohet të ketë operuar përmes letër kredive duke rritur fiktivisht shpenzimet publike (video më poshtë).

https://www.youtube.com/watch?v=L7RPEBtdPoo

Pra, ka raportuar për realizim investimesh, kur në fakt nuk ka patur investime dhe nuk ka patur shpenzime të kryera. Ekspertët flasin për mashtrim të pastër financiar, me pasoja ligjore penale. Të paktën 19 kontrata të firmosura me letër kredi janë zbuluar nga një grup deputetësh. Ligjvënësit, që i janë drejtuar me një letër kuvendit, flasin për shkeljen e 3 neneve të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor. Por veç përgjegjësive ligjore, Cani së pari rrezikon shkarkimin nga detyra. Burime nga kryeministria thanë se ky skandal e ka acaruar së tepërmi marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit Rama aq sa kreu i ekzekutivit po përgatit shkarkimin e tij nga detyra. Deputetët që kanë zbuluar skandalin sqarojnë se, duke tentuar të korrigjojë një gabim të Ministrisë se Zhvillimit Ekonomik, e cila mbeti shumë mbrapa me realizimin e investimeve, ministri Cani ka shkelur edhe ligjin e buxhetit. Shkarkimin e Canit e paralajmëroi pak ditë më parë edhe gazeta “Shekulli” i deputetit socialist Koço Kokëdhima, i cili fliste për pakënaqësi të kryeministrit ndaj Ministrit të Financave, në lidhje me problemet me financat. Probleme këto që kishin të bënin me vonesa në pagat e administratës apo në shpërndarje jo të drejtë të fondeve për njësitë vendore. Paralajmërimi i “Shekullit” u komentua edhe si një betejë e superdeputetit të PS –së ndaj Canit. Por me zbulimin e skandalit financiar, duket se qëndrimi i Canit në karrigen e Ministrit të Financave është çështje orësh.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: