Julen Lopetegui nuk do të jetë trajneri i Real Madrid që në mëngjesin e sotëm. Pritet që Florentino Perez të mblidhet në këto orë me stafin e tij drejtues të madrilenëve për të marrë vendimin dhe zyrtarizuar shkarkimin e teknikut i cili ka zhgënjyer çdo pritshmëri të mundshme. E përditshmja “Marca”, raporton se klubi ka bërë gati prej kohësh një tjetër trajner, Antonio Konten, i cili është shkëputur pak ditë më parë nga Çelsi përfundimisht dhe mund të firmosë për çdo klub tjetër. Konte pritet të udhëtojë sot drejt Spanjës, por nëse nuk gjendet akordi brenda pak ditësh, në stolin e skuadrës do të ulet Santiago Solari, trajneri i Kastijas, i cili do të drejtojë klubin në mesjavë, në duelin përballë Melila në Kupën e Mbretit. Florentino Perez ishte shumë i inatosur dhe si rrallëherë, pas përfundimit të ndeshjes nuk shkoi të vizitonte skuadrën në dhomat e zhveshjeve. Ai doli me shpejtësi nga “Kamp Nou” dhe nuk takoi as lojtarët dhe as Lopeteguin. Sinjali është më se i qartë, se presidenti është i pakënaqur me të gjithë, por për momentin i vetmi që mund të sakrifikohet është trajneri dhe kështu do të ndodhë duke filluar që sot. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb