Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos shkarkuar Presidentin Ilir Meta, me argumentin se nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

“Washington Post”, e shumë media të tjera, shkruajnë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, “për nxitjen e destabilitetit dhe shfaqjen e njëanshmërisë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pjesë nga shkrimi i “Washington Post”:

Gjykata tha në një vendim të lëshuar të mërkurën vonë, se provat kundër Metës nuk përbënin “shkelje të rëndë të Kushtetutës”, e cila është një prag ligjor për shkarkimin e një presidenti në detyrë.

Në qershor të vitit të kaluar, ligjvënësit shqiptarë votuan 104 me 7 për shkarkimin e Metës pasi një hetim parlamentar arriti në përfundimin se ai kishte shkelur 16 nene kushtetuese dhe kishte nxitur dhunë me paragjykimet e tij kundër socialistëve në pushtet gjatë fushatës për zgjedhjet e prillit 2021.

Meta, mandati i të cilit përfundon në korrik, kishte denoncuar hetimin dhe shkarkimin, me argumentin se ishin të paligjshme.

“Zero surprizë për zyrën e presidentit! Kjo çështje nuk duhej të fillonte!”, ka shkruar zëdhënësi i presidenti Meta, Tedi Blushi në Facebook pas dhënies së vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi është përfundimtar.

Procesi i shkarkimit u nis nga 49 ligjvënës socialistë në pushtet, të cilët akuzuan Metën, një ish-kryeministër socialist që u largua nga partia vite më parë, për nxitje të destabilitetit dhe dhunës në kombin ballkanik dhe për anashkalimin e opozitës politike përpara zgjedhjeve.

Partia Socialiste përfundoi duke fituar 74 nga 140 vendet e parlamentit për të fituar një mandat të tretë katërvjeçar në qeverisjen e Shqipërisë.

Presidenca e Shqipërisë është kryesisht ceremoniale, por mbart njëfarë autoriteti mbi gjyqësorin dhe forcat e armatosura. Roli në përgjithësi kuptohet gjithashtu si apolitik, por Meta është përplasur rregullisht me qeverinë socialiste.

Që kur u bë president në vitin 2017 me mbështetjen e socialistëve, Meta ka kundërshtuar axhendën e tyre, ka bllokuar emërimet e ministrave dhe ka vënë veton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb