TIRANË

Në gjithë botën po përdoren terapi të ndryshme për të trajtuar të sëmurët me koronavirus por çfarë po përdor Shqipëria, mjekët tanë për të prekurit? Ndonëse jo me emra konkretë mjeku infeksionist Arjan Harxhi tha se po përdoren disa terapi. Sa i përket trajtimeve dhe emrave të ndryshme të ilaçeve që po përdorin vende si Italia, Franca, SHBA, ai tha se nuk ka asnjë të dhënë faktike që të vërtetojë efektshmërinë e ndonjë terapie specifike.

Ndërsa mjeku Andi Koraqi tha se nuk ka një terapi specifike.
“Janë në dispozicion të mjekëve të Infektivit. Nuk ka terapi specifike por këto janë vërtetuar me statistika që dyshohet se veprojnë në rrugë të drejtë”, tha Koraqi.

“Nuk ka asnjë të dhënë faktike që të vërtetojë efektshmërinë e ndonjë terapie specifike. Quhet trajtime kompasionant, d.m.th që nuk ke protokoll zyrtar por kur ka një risk të lartë, mjekët ofrojnë këtë lloj terapie por duke qenë të bindur për nivelin e ulët të efekteve anësore. Ne kemi terapi”, deklaroi Harxhi.

Sa iu përket grave shtatzëna, ai shpjegoi se deri tani nuk është parë asnjë lloj lidhje që mund të japë problematika në gratë shtatzëna. “Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ruhen se përgjithësisht janë të kujdesshme. Prapë duhet të ruhen por nuk ka të dhëna që flasin për rrezikshmëri më të lartë tek kjo kategori”, tha Harxhi.

Të pyetur nëse po i fshihet diçka njerëzve nga kjo pandemi, të dy mjekët u shprehën jo.
“Situata është e jashtëzakonshme dhe është e natyrshme të ketë të tilla. Personalisht si mjek jam edukuar të mos kem asnjë lloj konspiracioni”, u shpreh Harxhi.
“Teori konspirative që as unë nuk e besoj. Viruset kanë një kohë të shkurtër ndryshimi dhe ndaj pësojnë mutacione”, deklaroi Koraqi.

Për dyshimet se koronavirusi mund të ketë pësuar mutacion në Itali, Koraqi tha se në Kinë janë studiuar 100 raste dhe është thënë që ka 2 viruse, një më i shpejtë dhe një që sëmundja është më e ngadaltë. “Por nuk është studiuar ndonjë lloj mutacioni tek virusi në Itali. Tek koronaviruset mutacionet nuk janë të shpeshta si tek virusi i gripit”, tha Koraqi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb