Nga: AHMET SHQARRI*
Kur ndodh njëherë mund të jetë rastësi, por kështu siç po ngjet me futbollin cilësor të Kukësit dhe të Laçit këto vitet e fundit, për vendin tonë kjo duhet parë si një dukuri apo realitet i pranueshëm prej të gjithëve. Këtu kam parasysh jo vetëm vendet elitare që ekipet e këtyre qyteteve veriore po zënë vazhdimisht në renditjen e futbollit të këtij vendi, siç bënë edhe këtë mesjavë kur u shpallën finalistë të Kupës së Shqipërisë, por edhe pjesëmarrjen nëpër kupat europiane, ku veçanërisht ekipi kuksian me tri turret e kaluara atje, ka bërë atë që deri tani asnjë ekip tjetër i kësaj treve nuk e ka arritur! Përtej shifrave apo rezultateve të këtij lloji, kjo nuk do të thotë se me futbollin e tanishëm të Kukësit dhe të Laçit nis e mbaron historia në këtë vend, të paktën për këtë rast, kur dihet se jo më shumë se një pesëvjeçar më parë, ekipet e këtyre qyteteve ose endeshin pa ndonjë identitet nëpër kategoritë inferiore, ose ngjiteshin e zbritnin prej tyre, duke mos lënë ndonjë mbresë spikatëse në to. Në fakt, simboli i futbollit jo vetëm në veri, por në krejt Shqipërinë, vazhdon të mbetet ekipi i “Vllaznisë” së Shkodrës, paçka se në këto “kohëra moderne” është duke luftuar për mbijetesë! Ky paradoks i skuadrës shkodrane, që nga djep i rritjes së talenteve të panumërt sportivë dhe fitues i shumtë kupash e kampionatesh të këtij vendi, tashmë ka mbetur në bisht të futbollit shqiptar, bën që meditimi për skuadrat e sotme të Veriut, ku përparësinë e kanë marrë Kukësi me Laçin, të shkojë më larg se këto e të shtrihet edhe në fusha të tjera, që tek ne përzihen e nakatosen si mos më keq. Dhe mendja të shkon tek ky sistem i kapitalizmit që, çuditërisht, qyteteve të tillë metropol si Shkodra, apo dhe Tiranës për më tepër si kryeqytet, ua errësuaka atyre disa vlera, të tilla si këto të futbollit, duke mbetur tashmë thuajse nën hijen e qyteteve të vegjël e të sipërpërmendur të veriut! Apo mos vallë kjo dukuri është thjeshtë shqiptare, e pangjashme me askënd në botë, siç ndodh në fakt jo vetëm me futbollin, por edhe me shumë gjëra të tjera në këtë vend? Gjithsesi, të pranosh se në kapitalizëm rolin kryesor për zhvillim e ka paraja dhe se, në rastin që po trajtojmë, Kukësi dhe Laçi i kanë ato prandaj dhe janë të suksesshëm në futboll, duhet të injorosh nga ana tjetër qytete më të mëdhenj që dihet fare mirë se bizneset i kanë më të shumta dhe rrjedhimisht edhe lekët po ashtu!?… Duket një rebus i vështirë për t’u zgjidhur edhe pse dikush mund të shtojë se, në këtë rast është vetë dëshira dhe përkushtimi i ca njerëzve që duan e dinë të harxhojnë, prandaj dhe marrin përparësi ndaj të tjerëve që rijnë e bëjnë sehir. Mund të jetë edhe kështu, por veçse në ndonjë rast dhe jo kështu si me futbollin shqiptar kur “lëvizjet” apo “risitë” na u kthekan në dukuri të tilla nëpër ca qoshe e skuta, ndërsa metropoleve ju dashka të bëjnë gjumin e gjatë letargjik, për t’u zgjuar s’dihet se kur?! Për të qenë më realistë, duhet thënë se, në këtë rast të gjitha duhen marrë parasysh, sidomos kur bëhet fjalë për financat që duhen derdhur për të zhvilluar diçka, por nëse sistemi ynë drejtues, institucionet që bëjnë e zbatojnë ligjin, së bashku me qeverisjen, luajnë rolin e indiferentit, atëherë do të shohim edhe plot paradokse të tjera, si këto të futbollit tonë, ku skuadër cilësore dhe stadium të ri mund të ketë një qytet i vogël si Kukësi, por jo një kryeqytet si Tirana!?
Nga ajo që duket prej shembullit të të dy ekipeve protagonistë të veriut si dhe nëpërmjet ecurisë së shifrave dhe fakteve të tilla siç është p.sh. ai i renditjes shumë pranë njeri-tjetrit të disa skuadrave pretendente për titull, sezoni ynë futbollistik mund të të hutojë për një çast dhe të krijojë një ide të gabuar rreth asaj çfarë ai fsheh në të vërtetë, sidomos në drejtim të cilësisë së dobët të ndeshjeve që, paradoksalisht, disa interesaxhinj e puthadorë klanesh të caktuara klienteliste, e paraqesin sikur të ishte “mrekullia” e pas viteve 90-të. Pa dashur të zgjatem me shpjegime që shpesh herë i kam radhitur nëpër komentet e ndryshme të botuara këtu dhe që besoj se bindin më së miri për gjithshka preket dhe shihet në këtë realitet të trishtë, megjithatë, ajo që na ofrojnë rezultatet e arritura të të dy ekipeve futbollistike të veriut, Kukësi dhe Laçi, përveç entuziazmit dhe gjallërisë që i kanë zgjuar banorëve të zonave të tyre, në përgjithësi të harruara, ndërkohë japin edhe mesazhin se, ky vend nuk mund ta përforcojë identitetin e tij nëpërmjet ndonjë shembulli futbollistik të sipërpërmendur apo simboleve false që shpesh kërkojmë t’ia sajojmë e t’ia ngjisim sidomos Kombëtares, me qeleshe e këngë vaji, por duke treguar një qytetari të nivelit të lartë europian, larg perversiteteve apo mashtruesve… 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: