TIRANË

Gjatë takimit me koordinatorët në Tiranë, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka theksuar rëndësinë e bashkimit të së djathtës për të larguar regjimin e Edi Ramës.

Mediua u shpreh se  votat që duhen për të marrë një mandat në koalicion, janë po aq vota sa duhen për të marrë një mandat edhe si parti më vete.

“Po shkojmë në zgjedhje. Edi Rama po bën çdo gjë, çdo ditë, çdo moment. E filloi me Reformën Zgjedhore, me ndryshimet kushtetuese, për t`a përçarë opozitën, vazhdoi me Kodin Zgjedhor që opozita të ishte e ndarë, sepse qëllimi i tij ishte përçarja e opozitës, në mënyrë që ai të kontrollojë marrëdhënie, të krijojë pazare, të marrë pushtet, nëpërmjet krimit, korrupsionit dhe blerjes së votës. Kjo kërkon padyshim një organizim opozitar të qënësishëm.

Unë dua t`ju falënderoj gjithësecilin nga ju, në mënyrë të veçantë, drejtuesit e Partisë Republikane në degën e Tiranës, sepse besoj që kemi arritur në një nivel politik jashtëzakonisht të rëndësishëm, ku ne jemi qartësisht të organizuar, për të ecur dhe të vetëm në fushatë elektorale. E përsëris, votat që duhen për të marrë një mandat në koalicion, janë po aq vota sa duhen për të marrë një mandat edhe si parti më vete.

I kemi shërbyer ndershmërisht së djathtës, i kemi shërbyer ndershmërisht qëndrimit tonë politik, si forcë e djathtë, për të bërë gjënë më të mirë për vendin tonë, ne kemi menduar që duhet të bashkohemi për të larguar këtë regjim të korruptuar, regjimin e Edi Ramës.

Mënyra për t`a larguar këtë regjim, është vlerësimi i çdo individi në opozitë, çdo qytetari, në mënyrë të padiskutueshme vlerësimi i çdo subjekti politik të opozitës, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i të gjitha forcave politike të opozitës është domosdoshmëri, partive tradicionale, partive të reja, partive opozitare, majtas dhe djathtas, bashkëpunimi me qytetarët, për të ndërtuar frymën e besimit dhe të ndryshimit në Shqipëri. Është e domosdoshme që ta bëjmë.

Në qoftë se ka sot subjekt politik, i cili ka interesin e koalicionit, në radhë të parë është Partia Demokratike. Por si? Do ta bëjmë thjesht si një marrëdhënie arithmetike, apo do të krijojmë një sinergji brenda koalicionit, siç kemi bërë herë tjetër, për të vlerësuar ide dhe qëllime të përbashkëta, dhe për të vlerësuar individë që kanë autoritet, peshë, integritet, profesionalizëm, për të kandiduar dhe për të qeverisur vendin. Në qoftë se ne nuk do t`i kemi këto dy marrëdhënie, e para ide të qarta, të cilat nuk janë vetëm tonat, por janë të gjithë shoqërisë shqiptare, kthehen në një marrëdhënie me ta, unë mendoj që do të jemi te mangët në angazhimin tonë. Ka ide Partia Demokratike për të qeverisur, padyshim që ka. Ka ide Partia Republikane programore për të qeverisur, padyshim që ka. Kanë ide partitë e tjera, kane të gjitha idetë e tyre, por këto ide bëhen të vlefshme në qoftë se kuptohen nga njerëzit.

Është e rëndësishme që ne të krijijmë një kontratë sociale të opozitës, për qeverisjen dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, mbas zgjedhjeve të 25 prillit dhe rikthimin në rrugën e integrimit europian, një marrëdhënie dhe një kontratë sociale dhe politike që duhet ta bëjmë të lexueshme, të kuptueshme, të pranueshme apo të diskutueshme me çdo shqiptar, në çdo skaj të Shqipërisë, për ta bërë pjesë të proçesit, sepse pjesëmarrja në këtë proçes zgjedhor është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm.” tha Mediu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb