TIRANE – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha, si dhe deputetët Berisha, Veliaj dhe Dashi morën pjesë në një takim të organizuar nga Bundenstagu Gjerman në Berlin.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Mediu falenderoi Gjermaninë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, si dhe nismën e kancelares Merkel për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit, nëpërmjet projekteve të përbashkëta.

“Megjithë mbështetjen e Gjermanisë, rruga e integrimit evropian të Shqipërisë është ngadalësuar për shkak të korrupsionit dhe krimit dhe krizës ekonomike” theksoi zoti Mediu.

Pas këtij aktiviteti, zoti Mediu zhvilloi edhe një sërë takimesh me deputetë të parlamentit gjermanë. Në këto takimet, të gjithë të pranishmit, theksuan se Shqipëria duhet të ndërtojë një politikë të bashkëpunimit për të miratuar Reformën në Drejtësi dhe të zbatojë pa vonesë ligjin për dekriminalizimin.

Gjithashtu, deputetë gjermanë pjesëmarrës në këto takime nënvizuan se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë detyrim i parë i qeverisë, prandaj Gjermania do të ndjekë me vëmendje, jo vetëm miratimin e Reformës Elektorale, por do të vëzhgojë edhe zbatimin e saj.‎

Në përfundim të këtyre takimeve, Mediu i cilësoi ato si mjaft të frytshme, duke theksuar edhe një herë garancinë që mori nga deputetët gjermanë në mbështetje të Reformës në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: