Kandidati i “Aleancës për Ndryshim”, Fatmir Mediu, zhvilloi takime me banorë të Njësisë Administrative nr.1, në Tiranë. “Jemi futur në një muaj të jashtëzakonshëm, muaj besimi, ku njerëz shpresëmirë, sakrifikojnë, punojnë për ditë më të mira. Dhe dita që ne duhet të kurorëzojmë besimin, forcën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, është data 25 Prill, ku të gjithë të bashkuar ne duhet patjetër të mposhtim të keqen të përfaqësuar nga Edi Rama.

Shqipëria është e jona. Këtë vend e ka falur Zoti dhe me këtë që na ka dhënë Zoti, ne duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë, familjeve tona, të Shqipërisë Europiane. Duhet të largojmë një regjim të korruptuar dhe një njeri që nuk përfaqëson më asnjë vlerë politike, asnjë vlerë intelektuale, asnjë vlerë qeveritare dhe për më pak, asnjë vlerë njerëzore.

A janë fëmijët tanë sot në mundësinë për t`u arsimuar dhe edukuar, për t`u bërë të vlefshëm për familjen e tyre? A e kanë ata mundësinë për të ndërtuar një familje në Shqipëri sot? A është kjo Shqipëria që kemi besuar dhe ëndërruar? A është kjo Shqipëria që na jep dinjitet dhe vlerë?

Po ashtu të shikojmë dhe tek prindërit tanë. A janë ata sot krenarë me atë që shohin, me vendin e tyre? A e gëzojnë dot ata familjen e tyre të bashkuar, me nipër, me mbesa, me fëmijë, që të gëzojnë së bashku?
Sot kemi ardhur në momentet më të trishta të historisë sonë kombëtare, për faktin që rreth 490,000 të rinj dhe të reja, intelektualë, profesionistë, janë larguar nga Shqipëria. Vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se janë 7.2 miliardë euro që regjimi i korruptuar dhe i inkriminuar i Edi Ramës ka vjedhur nga xhepat e shqiptarëve , nga taksat tona.

Edi Rama për interesa të tij politike kërkon të shpopullojë Shqipërinë, kërkon që Shqipëria të zbrazet dhe të sjellë këtu njerëz nga Bangladeshi, nga Pakistani apo nga India, sepse i do ata si shërbëtorë të pushtetit të tij, se mentaliteti i Ramës është mentaliteti i sundimtarit, se ai mund të bëjë si të dojë me njerëzit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të gjykojmë drejt në këto zgjedhje, për të ndalur hajninë, për të ndalur antivlerat, për të ndalur një njeri i cili nuk ka më asgjë të përbashkët me ne, për të ndalur një qeveri e cila do vazhdojë t`a thellojë akoma më tej krizën.

Ajo që është e rëndësishme është që shqiptarët të dinë të dallojnë se kush është e keqja dhe të bashkohen për të bërë më të mirën. Unë këtë bashkim të opozitës e shikoj si një shpresë të bashkimit të shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë, në 25 Prill, kundër këtij regjimi të korruptuar.

“Aleanca për Ndryshim”, Partia Demokratike dhe të gjithë ne, kemi në qëndër të programit vlerat tona njerëzore, identitetin tonë kombëtar, një familje e cila ndërton mirëqënien në këtë vend që e ka falur Zoti.

25 Prilli është ballafaqimi i shqiptarëve që duan shtet, liri dhe të drejta dhe nga ana tjetër Edi Ramës dhe regjimit të tij të korruptuar që vetëm shkatërron shtetin, vlerat dhe cdo interes të qytetarit.
Vota që ne hedhim është votë për fëmijët tanë, është votë për prindërit tanë, është votë për familjet tona, është votë për Tiranën, është votë për Shqipërinë, është votë për një rrugëtim të drejtë të shqiptarëve për të qënë të barabartë përballë ligjit dhe për të ndërtuar mirëqënien e tyre.” tha Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb