TIRANË

Partia Republikane vijon përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, përmes të gjithë organizatave dhe forumeve të saj. Duke pasur në qendër gruan dhe rolin e saj në vendimmarrje, republikanët organizuan konferencës kombëtare të gruas.

Përmes mesazheve viturale, pjesë e konferencës ishin edhe eurodeputetë dhe ligjvënëse nga Kosova, Maqedonia, Austria dhe Bullgaria por edhe kryetarja e grave demokrate Albana Vokshi.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu nxiti vajzat dhe gratë të flasin për veten, për Shqipërinë dhe sidomos për politikat që përçajnë dhe përbuzin.

“Juve duhet të jeni kudo që flitet; kur flitet për Shqipërinë dhe kur flitet për ju, për të sotmen dhe për të ardhmen. Mbi të gjitha, mos lejoni që të tjerët të flasin për ju, por flisni ju për veten tuaj, duke mos pranuar hipokrizinë dhe keqpërdorimin.

Nuk ka vlerë vetëm një femër me pushtet, por ka vlerë pushteti i femrës, duke krijuar së pari pushtet mbi veten tuaj, mbi atë që doni të arrini.

Mos pranoni t’ju përdorin për numra, për kuota, që të zbukurojnë shëmtinë e pushtetit dhe të anti-vlerave. Qëndroni më shumë me njëra-tjetrën dhe pranë njëra-tjetrës. Flisni fort dhe hapur kundër politikave që në radhë të parë përçajnë, përbuzin dhe urrejnë e fyejnë. Nga përbuzja, nga përçarja, nga fyerja, nuk ka asnjë gjë të mirë”, tha Mediu.

Për Mediun, qeverisja nën drejtimin e Edi Ramës ka ndërmarrë çdo hap që gratë të heshtin dhe zëri i tyre të mos dëgjohet.

“Rama dhe sekti që është krijuar në politikën shqiptare kanë bindje se shqiptarët duhet të jenë kokë ulur dhe që ata të mund të bëjnë çdo gjë. Duhet të flisni fort dhe hapur kundër politikave, që urrejnë përçajnë dhe fyejnë”, u shpreh Mediu.

Mediu kërkoi nga gratë të luftojnë fort për të bërë ndryshimin në vend dhe të jenë pjesë aktive në debatin publik dhe politikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb