Mega-operacioni i SPAK i koduar “Plumbi i Artë”, ishte temë diskutimi në pjesën e dytë emisionit “Pikat mbi I”.

Analisti Artur Zheji, tha se goditja e SPAK është një gjë e mirë pasi janë shkatërruar një pjesë e bandave.

Ai gjithashtu tha se goditja ishte prapë majtas, sepse sipas Zhejit grupet kriminale marrin vota për maxhorancën.

Nga ana tjetër, deputeti Flamur Noka tha se operacioni sipas tij ka qenë dështim, pasi ka rrjedhje të informacionit.

Zheji: Rama i bëri ftesë SPAK-ut për Metën dhe Berishën. Për të vërtetuar apo hedhur poshtë non gratën e SHBA, ndërsa tjetrin se e do shumë. SPAK-u nëse ka pasur kundërpërgjigje goditi banda kriminale të rrezikshme. Mendoj që prapë goditja pavarësisht çdo të thotë opozita, them që këto grupe kriminale shërbenin në krah të maxhorancës, në skalionet e mbledhjes së votës. E parë SPAK-u ka goditur majtas. Do të ishte gabim që opozita të sulmonte SPAK-un duke e konsideruar këtë aksion fasadë. Populli ka shumë pritshmëri. Ndoshta është e gabuar, por gjithmonë në momente krizash të mëdha, kur organet e drejtësisë japin shkëndije pozitive njerëzit kanë tendencën të besojnë se nga shkëndija do të niset një zjarr. Njerëzit shumë të fuqishëm e që bëhen të pa parashikueshëm, në të gjitha rrethanat partnerët strategjikë i godasin. Ka rrjedhje të informacionit, por rreth tyre është bërë tokë e djegur, nëse i kanë arrestuar ushtarët, operacioni i tyre i krimit zvogëlohet dhe bëhet më i kontrolluar.

Noka: SPAK veproi sepse tani u shndërrua në të penduar një prej të akuzuarit. Çfarë efekti pati? Çfarë produkti dha, këtu më pas duhet të diskutojmë. Ky operacion për mua është dështim. Ka pasur fillim e mbarim rrjedhje informacioni. Fakti që shpall disa ditë përpara emrin e të penduarit, t’i praktikisht i ke paralajmëruar ata që të ikin dhe po i vjen momenti për urdhër-arresti. Kjo është aksiomë. Në rast se ke qëllim të luftosh krimin, duhet të ruash konfidicialitetin. Kush e nxori? Opozita e nxori emrin e Dumanit si të penduar? Unë që ditën që kam dëgjuar emrin e Dumanit si të penduar i kam thënë kolegëve që po shkojnë sinjalet. Fakti që u ndaluan vetëm ushtarë është vërtetim. Sa i përket asaj që tha zoti Zheji që opozita nuk duhet ta kundërshtojë se është goditje majtas. Një gjë mund ta them, nuk është goditje majtas. A dini ju një bandë të krimit që është mbështetëse e PD? Asnjë. Krimi i organizuar mbështet qeverinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: