TIRANË

Ka ende mistere e të pathëna nga diktatura e 45 viteve në Shqipëri. Një pjesë të tyre të parë në syrin e një mjeku i tregon ish-doktori i diktatorit Enver Hoxha Isuf Kalo. Ai tregoi në “Real Story” në Neës24 edhe një pjesë tjetër të kësaj historie në këndvështrimin e tij, të përshkruar dhe në librin “Blloku”. Bëhet fjalë për vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Kalo shprehet i bindur se ishte vetëvrasje dhe thotë se nuk u befasua. Sipas tij Mehmeti llogariti që nga vetëvrasja do merrte disa avantazhe, madje shkon deri aty sa thotë se ishte një akt negocimi me Enver Hoxhën.

Sokol Balla: Në vitin 1981 im atë që punonte në Televizionin Shqiptar erdhi i tronditur në shtëpi. Pamë lajmet e orës 8. ishte edicioni më i shkurtër i lajmeve, u lexua vetëm njoftimi i Komitetit Qendror. Ishte një moment tronditës për të gjithë njerëzit. A ju erdhi befasi vetëvrasja e Mehmet Shehut?

Isuf Kalo: Jo. Ishte logjike. Mehmet Shehu e vrau veten sepse llogariti që nga vetëvrasja e tij do merrte disa avantazhe. I biri, Vladimir Shehu e ka thënë shumë mirë, u vetëvra pasi e vranë. Esenca ishte pushteti që donte. Ai nuk donte të vritej nga një skuadër pushkatimi. Fundin e tij duhet ta kishte kuptuar më parë. Por e kuptoi natën e 17 dhjetorit, kur Mehmeti u vu në ring dhe e gjuanin sa të mundnin këta dhe Enveri bënte rolin e gjykatësit të paanshëm dhe nxiste këta të tjerët ta ofendonin.

Nuk u fol për Mehmetin agjent por për Mehmetin mendjemadh. Unë e kam dëgjuar atë seancë. Dëgjohej nga magnetofoni që regjistrohej. Mehmeti u vu në ring. Atë natë kur mbaroi mbledhja nuk u bë ndonjë reflektim. Mehmeti iku nga mbledhja duke qenë përsëri kryeministër, anëtar byroje, pra nuk ishte dënuar. Thuhet që më 16 dhjetor u bë një mbledhje sekrete në Pallat të Brigadave. Nuk kam qenë atje sepse s’ishte Enveri. Atje iu tha këtyre anëtarëve të Byrosë… Ishte Ramiz Alia që e organizoi dhe këta anëtarë të Byrosë filluan ta sulmonin Mehmetin në ato linja, të mendjemadhësisë, arrogancës. Ai e kuptoi që Enveri e kishte dorëzuar tek ata dhe të nesërmen mund të jepte vendim që të arrestohej dhe do përfundonte si Beqir Balluku. Atëherë ai i doli përpara kësaj, duke u vetëvrarë dhe duke lënë një letër pas. Kalkulimi që bëri Mehmeti qe i gabuar, ai kujtoi se Enveri do vihej në pozitë. Vetëvrasja ishte një akt negocimi për Enverin. Unë po iki, por ti më plotëso 1,2. Enveri ndoshta nuk e priti vetëvrasjen.

A kishte ndjesi pozitive mes Shehut dhe Hoxhës apo ishin rivalë?
Absolutisht. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar Enverin të thoshte për Mehmetin. Drama e Mehmetit u vendos në shtator, në takimet që bëri që u mor vesh çështja e fejesës së djalit Skënderit. Enveri donte që faji t’i jepej djalit dhe gjoja Mehmeti nuk dinte asgjë.

A nuk ishte makabër kjo që Mehmeti të bënte hasha djalin?
Logjika ishte kjo që fajin e ka djali, ai do shkonte disa muaj në një minierë. Ideja ishte që të mos dëmtohej partia. Mehmeti nuk pranoi. Mes kryeministrit dhe babait ai zgjodhi babain. Kjo e deluzionoi Enverin. E dyta ishte që Mehmeti e kishte bërë fshehurazi atij.

Pyeti Feçor Shehun si do kishe vepruar, ai i tha po të kisha këtë rast do vija t’ju pyesja ju.

Çfarë do bënte Enver Hoxha nëse djali i tij do lidhje me një vajzë me ato probleme që thuhej atëherë?
Do prishej fejesa. Linja e partisë është lufta e klasave. O do e bëjmë o s’do e bëjmë. Mehmeti e keqllogariti këtë.

Pse e fshehu Enver Hoxha faktin që Mehmet Shehu vrau veten?
Do thoshin më pas ai vrau veten nga Enver Hoxha. Nuk donte ta merrte këtë.

Ju vetë jeni i bindur, a ishte vetëvrasje?
Bindja ime është e plotë, e bazuar në logjikë dhe argumente. kam folur me mjekun Fatos Harito dhe më ka siguruar që mijë për mijë ishte vetëvrasje. Unë kam dhënë logjikën time. Është argument logjik. Mua më duket se letra iu vë kapak hezitimeve. Enverit nuk i leverdiste ta vriste Mehmetin sepse vrasja do krijonte histori. Ai Mehmetin donte ta likuidonte, me gjithë figurë. Me faza. Nuk donte që Mehmeti të mbetej në histori. Vetëvrasja e prishi ciklin. Eliminimi filloi që në shtator, po të ishte për ta vrarë do ta vriste që në shtator.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb