Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala trajtoi këtë të mërkurë, aktivitetin kriminal të fisit Bajri në Belgjikë.

Në dokumentarin e bërë nga Lala, tregoheshin detaje nga dosja belge, se si anëtarët e fisit Bajri operonin në Belgjikë e si keqtrajtoheshin vajzat që prostituonin për ta.

Sakaq, në studio, ishin të ftuar dy gazetarët, Fatjona Mejdini dhe Poli Hoxha. Mejdini, theksoi se Belgjika dhe Holanda janë dy nga vendet që operojnë bandat shqiptare, për shkak se atje janë dy nga portet më të mëdha të Evropës. Ajo gjithashtu shtoi se për tregtinë e kokainës, janë arrestuar mbi 250 shqiptarë në harkun kohorë të 2 viteve, e në këtë renditje, Shqipëria qëndron e para në botë, duke lënë pas vende si Brazili e Kolumbia. Nga ana tjetër, Hoxha theksoi se banda shqiptare është e fuqishme edhe në tregtimin e heroinës, ndërsa shtoi se pastrimi i parave është duke u kthyer në diçka ‘legale’ në Shqipëri.

Mejdini: Belgjika dhe Holanda janë dy vendet që kanë grupe kriminale shqiptare. Para disa vitesh, Holanda kërkoi bllokimin e vizave shqiptare për krimin e organizuar. Por më pas pati një moment reflektimi. Autoritetet holandeze nuk jepnin informacion dhe kishin frikë për deskriptim. Grupet shqiptare zgjedhin vendet e beneluksit sepse aty janë dy portet më të mëdha në Evropë. Nuk ka asnjë lloj dyshimi që vitet e fundit shqiptarët janë lidhur me tregtimin e kokainës. Kjo ka dalë para pak ditësh dhe nga viti 2018 deri në 2020 shqiptarët kanë qenë shqiptarët me numrin më të madh të arrestuar në Evropë. Të dytët me këtë renditje janë brazilianët. Me këto të dhëna shqiptarët kanë kaluar vendet si Brazili me mbi 200 mln banorë. Kolumbianët vijnë të tretët. Shqiptarët janë të angazhuar në tregtinë e kokainës, duhet shumë punë, por edhe bashkëpunim, se pa bashkëpunim nuk bëhet asgjë.

Hoxha: Droga e madhe që lëvron Shqipëria në Evropë. Heroina në fakt bën kërdinë dhe Shqipëria ka qenë një nga linjat më të konsoliduar. E vetmja mënyrë është që këtu në Shqipëri cikli i mafias, i ndërthurur dhe me ato ndërkombëtare, të futet në ekonomi. Pastrimi i parave këtu po bëhet në mënyrë të ligjshme, gati-gati në mënyrë të legalizuar. Ke njerëz me halle që kanë rënë në kurthin e këtyre krimeve. Shumë vrasje e kërcënime janë bërë për këtë gjë. Ata japin fajde, por edhe presione për këto para nëse nuk ua kthen. Kur shikojnë që pikasen nga agjencitë e huaja shihet që pasuritë e patundshme po ua shesin njerëzve të lidhur me politikën.

Mejdini: Hetimet financiare janë më të vështira. Sidomos një polici, prokurori me aftësi të kufizuara është e vështirë. Për të ndjekur paranë është e vështirë. Ata bëjnë përpjekje maksimale për të mos humbur pasurinë. Shqipëria ka punë për të bërë për luftën ndaj parave. Duhet të kuptojmë që shumë njerëz në qeveri kanë mentalitetin se njerëzit në qeveri apo sipër kanë nevojë për atë para të zezë për të ndërtuar. Autoritetet përfitojnë nga këto para duke pasur zhvillim e për të hapur vende pune që vetë nuk janë të gatshëm t’i hapin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb