MEKSIKE – Meksika bëhet gati për të pritur uraganin më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë në hemisferën perëndimore. Qendra kombëtare amerikane për uraganet bën të ditur se uragani “Patricia” pritet të shoqërohet me erëra që do të arrijnë deri në 325 km/orë.

Sipas ekspertëve, uragani pritet të ketë pasoja katastrofike. Kur të prekë tokën, uragani do të shoqërohet me tornado dhe dallgë që do të arrijnë deri në 8 metra.
Autoritetet në Meksikë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një superuragan dhe kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona, si: Colima, Nayarit dhe Jalisco.

Tashmë shumica e njerëzve në këto zona janë evakuuar, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të shmangur viktima, sa më shumë të jetë e mundur. Uragani “Patricia” pritet të mbërrijë në mbrëmje në brigjet e Meksikës.

Ekspertët thonë se uragani “Patricia” mund të krahasohet me Tajfunin Haiyan, që shkaktoi dy vjet më parë 7300 të vdekur në Filipine.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: